Gratë, Paqja dhe Siguria: 24-vjetori i Rezolutës 1325 pêrkujtohet në Durrës

Date:

Share post:

Sot, Durrësi u bë dëshmitar i një aktiviteti të rëndësishëm në kuadër të 24-vjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për “Gruan, Paqen dhe Sigurinë”. Aktiviteti u organizua nga Shoqata “Gender, Paqe e Siguri” në sheshin “Liria”, duke bashkuar qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të institucioneve për të diskutuar rolin e rëndësishëm të grave në ndërtimin e paqes dhe përfshirë qytetarët në dhënien e mesazheve dhe ndarjen e problematikave me të cilat ndeshen brenda mureve të shtëpisë dhe në shoqëri. 

Gjatë këtij eventi, pjesëmarrësit theksuan se angazhimi i grave në proceset e paqes është thelbësor, pasi studimet tregojnë se marrëveshjet që përfshijnë gra kanë më shumë mundësi të zgjasin dhe të jenë të qëndrueshme. Aktivistët ndanë perspektivat e tyre mbi sfidat me të cilat përballen gratë në shoqëri dhe theksuan nevojën për të adresuar këto probleme përmes politikave dhe iniciativave të vazhdueshme.

Në fjalën e saj, drejtoresha ekzekutive e shoqatës “Gender, Paqe e Siguri”, znj. Bajana Çeveli, organizatore e aktivitetit theksoi: 

“Gratë sjellin një perspektivë unike në proceset e paqes, duke u fokusuar në pajtimin, uljen e tensioneve, edukimin dhe zhvillimin ekonomik.”

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile për të forcuar kapacitetet dhe çuar përpara agjendën globale “Gruaja, Paqja dhe Siguria”.

Më tej, Çeveli u shpreh se ka ardhur koha të nismohet sërish amnistia që nxit dorëzimin e armëve të zjarrit që ende ndodhet në duart e popullatës dhe rrezik prezent për krime kundër personit, duke nisur nga ato brenda familjes. 

Ky aktivitet ndërgjegjësues u organizua në Durrës nga shoqata, që me mbështetjen e UN Women, Ambasadave dhe OSBE-së, i dha zë dhe jetë në Shqipëri Rezolutës 1325, duke arritur në kurorëzimin e përpjekjeve të saj për angazhimin e Qeverisë shqiptare dhe shoqërisë civile në hartimin dhe zbatimin e të parit Plan Kombëtar të Veprimit. Sot, Shqipëria është në Planin e dytë Kombëtar të Veprimit duke u kthyer në aktor që çon përpara agjendën botërore “Gruaja, Paqja dhe Siguria”. 

Aktiviteti në këtë 24- vjetor të Rezolutës shërben edhe si një kujtesë për të gjithë se përfshirja e grave në vendimmarrje, në sektorët e sigurisë dhe në proceset e misionet paqeruajtëse është një proces në vazhdim, një hap kyç drejt një shoqërie më të sigurt dhe të drejtë. Pjesëmarrëset në aktivitet, përfshirë dhe nënkryetaren e Këshillit Bashkiak Denisa Luarasi dhe përfaqësuesen e Prefekturës Linda Zeka, u angazhuan për të vazhduar punën në këtë drejtim dhe për të siguruar që zëri i grave të dëgjohet dhe respektohet. 

Me përfundimin e aktivitetit, organizatorët shprehën falenderime për pjesëmarrësit dhe përkushtimin e tyre në krijimin e një të ardhmeje më të mirë, ku dhuna dhe konfliktet të kenë zero tolerancë.

Gjithçka u mbyll me shpërndarjen e fletushkave informuese mbi rezolutën dhe tollumbacet e bardha, që shpërndanë simbolikisht mesazhin e paqes dhe sigurisë. 

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Antimafia Italiane godet organizatën kriminale që dërgonte flori në Shqipëri

Policia italiane ka goditur një rrjet kriminal të përbërë kryesisht nga shqiptarë, i dyshuar për trafik ndërkombëtar të...

E rëndë në Dibër/ Shtylla bie mbi elektricistin gjatë punës, 60-vjeçari ndërron jetë në spital

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Dibër, ku një elektricist ka humbur jetën gjatë punës. Ngjarja ka ndodhur...

Nga dogana tek supermarketi: Rrugëtimi misterioz i çmimeve në Shqipëri!

Nga Irena Beqiraj Në Shqipëri, kur çmimet rriten, shpjegimi është pothuajse gjithmonë gati "fajin e ka importi". Lufta, krizat...

Vajza dyshohet se i vuri flakën babait 89-vjeçar në Burrel, çfarë po ndodh me familjen?

Një tjetër ngjarje tronditëse brenda familjes vjen nga Burreli, ku një 43-vjeçare dyshohet se ka lyer me benzinë...