Në ditëlindjen e tij, këtë 8 nëntor, violinisti i shquar nga Durrësi, Florian Vlashi, pranoi urime të përzemërta nga qindra familjarë, miq e ardashës, si dhe nga Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu”, përmes mesazheve plot vlerësim për vlerat e tij në artin muzikor.
Edhe ne të “Zëri Online”, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën klasike dhe edukimin e publikut durrsak me magjinë e kësaj muzike, duke e cilësuar Vlashin si një nga ambasadorët më të spikatur të artit shqiptar dhe Durrësit në arenën ndërkombëtare, i urojmë mjeshtrit të violinës një jetë të gjatë e plot sukses artistik. Gjithashtu urojmë që ai të kthehet me projektin e vet artistik në Durrës verën e ardhshme.
Me një karrierë të gjatë e të pasur, Vlashi ka arritur të prekë audienca të ndryshme, duke mbajtur gjallë pasionin për artin dhe duke promovuar me krenari kulturën shqiptare dhe muzikën e vjetër e të harruar shqiptare.
Florian Vlashi, i lindur më 8 nëntor 1963, u rrit në një mjedis të pasur artistik e kulturor, ku mbizotëronte dashuria për librin dhe muzikën. Kjo i dha mundësinë të zhvillohej artistikisht që në moshë të hershme. Ai është djali i Nderit të Kombit Gjergj Vlashit, një shkrimtar, regjisor dhe përkthyes i njohur, i cili e orientoi drejt një bote të thellë artistike e kulturore, që Flori e dëshmon gjithëherë.

Në shtëpinë e familjes Vlashi, e cila ruante një bibliotekë të pasur me mijëra libra dhe një koleksion të veçantë të disqeve muzikore, Florian Vlashi u njoh me artin klasik dhe bashkëkohor që në fëmijëri. Babai i tij i tregoi herët për artin kubist të Picasso-s, konceptet e Duchamp-it dhe përmbajtjen e baleteve të Stravinsky-t, duke i ngulitur në mendje vlerën e madhe të krijimtarisë artistike, vlerë që së bashku me bashkëshorten Redianën ai ia ka transmetuar dy djemve të tyre Daniel dhe Martin.

“U rrita në një shtëpi që kishte bibliotekën më të madhe të qytetit,” kujton Vlashi, duke evokuar mbrëmjet e gjata të mbushura me diskutime artistike, ku merrnin pjesë personalitete si Ismail Kadare.
“Kjo shtëpi është si Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve,” thoshte Kadareja. Për Florin, këto mbrëmje ishin një shkollë e gjallë e artit dhe kulturës.
Në një kohë kur shteti mbikëqyrte me rreptësi çdo shprehje të lirisë, për të, librat dhe muzika u bënë një formë ikjeje drejt një bote imagjinare, larg kufizimeve të përditshme. Lidhja e tij me artin muzikor ishte e paracaktuar. Një udhë që ai e zgjodhi për të mos e lënë kurrë më pas.
Në këtë ditë të veçantë i urojmë Florian Vlashit shumë vite të tjera të mbushura me shëndet dhe krijimtari, duke përgëzuar pasionin dhe përkushtimin e tij për dijen dhe muzikën që frymëzon.
©️zërionline


