Në kuadër të Javës Kulturore Shqipëri-Kosovë dhe Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, qyteti i Durrësit mirëpriti artistin e njohur kosovar, Eshref Qahili. Me një ekspozitë personale të kuruar nga Oltsen Gripshi dhe një bisedë të hapur mbi temën “Arti Bashkëkohor Kosovar në Kohën e Inteligjencës Artificiale,” Qahili ofroi një përvojë unike ku tradita dhe teknologjia bashkëveprojnë.
“Radiot kanë një koncept të luftës dhe para luftës, ku kemi dëgjuar lajmet e ndryshme dhe kam bërë një kolazh. Kemi pasur shpresën se do të arrinim lirinë, dhe pas lufte është lëshuar thjesht muzikë, pa menduar se çfarë po thuhet e kush flet”, tha piktori Qahili duke vlerësuar brendinë e artistit që e mund, sipas tij, teknologjinë.
Piktori shquhet për stilin e tij inovativ, duke ndërthurur elemente tradicionale me teknika bashkëkohore, përmes pikturave dhe instalacioneve të veçanta. Një element i spikatur në punimet e tij është radioja, një simbol që lidh dy periudha thelbësore të historisë së Kosovës: kohën para dhe pas luftës.

Pas kësaj ekspozite në Durrës, Qahili është duke punuar për një tjetër projekt të rëndësishëm që do të pasurojë portofolin e tij të pjesëmarrjes në ekspozita ndërkombëtare. Ai njihet për rolin e tij në promovimin e artit kosovar përtej kufijve dhe për aftësinë për të lidhur audiencën me mesazhe universale përmes artit.
Kjo ngjarje kulturore shërben si një urë bashkëpunimi ndërmjet artistëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, duke nxitur dialogun dhe shkëmbimin e ideve artistike. Përmes pikturave të Qahilit, vizitorët zbulojnë një dimension të ri të artit bashkëkohor në një epokë ku teknologjia, përfshirë inteligjencën artificiale, po ndikon në mënyrë të thellë mbi jetën dhe krijimtarinë artistike.
Bienalja synon gjithashtu të promovojë turizmin kulturor dhe edukimin artistik, duke tërhequr artistë, kuratorë dhe dashamirës të artit nga të dy vendet. Kjo është një dëshmi e fuqisë së artit për të kapërcyer kufijtë dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe një dialog ndërkulturor.
©️zërionline


