Ende pa hyrë në fuqi vendimi i qeverisë shqiptare për të ndaluar TikTok-un për një periudhë njëvjeçare, si masë sigurie ndaj rrezikut që kjo platformë paraqet për adoleshentët, përdoruesit e rinj nuk vonuan të gjejnë një alternativë të re.
‘Clapper është interesant. Bëhen dhe lekë, ka gifts”, thotë një 16-vjeçare nga Durrësi.
Platforma Clapper, e cila ka fituar popullaritet në disa vende perëndimore, ka nisur të shndërrohet në “strehën” më të re të adoleshentëve shqiptarë, që kanë nisur ta përdorin masivisht.
Çfarë është Clapper?
Clapper është një aplikacion social i ngjashëm me TikTok-un, por që fokusohet në përmbajtje “raw” dhe autentike, duke promovuar komunikim të drejtpërdrejtë dhe pa filtra. Ai njihet ndryshe si versioni për të rritur i TikTokut dhe përdoret në mbi 40 vende.
Përdoruesit mund të shpërndajnë video të shkurtra, të krijojnë transmetime të drejtpërdrejta dhe të ndërveprojnë përmes komenteve. Ndryshe nga TikTok, Clapper pretendon se është më “real” dhe më pak i orientuar drejt algoritmeve që promovojnë vetëm përmbajtje popullore.
Adoleshentët nuk ndalen
Vendimi për të ndaluar TikTok-un erdhi pas shqetësimeve për ndikimin negativ që kjo platformë ka mbi shëndetin mendor dhe emocional të adoleshentëve, si dhe për ekspozimin e tyre ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme. Megjithatë, për shumicën e tyre, kjo nuk u konsiderua si një ndalesë, por thjesht si një arsye për të eksploruar platforma të tjera. Clapper, me natyrën e tij të re dhe më pak të kontrolluar, po plotëson boshllëkun që sipas adoleshentëve pritet të krijohet nga ky vendim.
“Nuk e njihnim më parë këtë platformë, por e gjetëm sapo u dha lajmi se do të mbyllet TikTok. Është e thjeshtë dhe argëtuese.”
A është Clapper më i sigurt?
Sot në botë, specialistët e teknologjisë dhe psikologët kanë shprehur shqetësime të ngjashme edhe për Clapper. Platforma mund të mos jetë e moderuar në të njëjtën mënyrë si TikTok, duke lejuar shpërndarjen e përmbajtjeve të paautorizuara ose të dëmshme për grupmoshat e reja. Për më tepër, mundësia për të ndërvepruar drejtpërdrejt me të panjohur shton rreziqet për manipulim online dhe ekspozim ndaj abuzimeve virtuale.
Ndërsa një pjesë e prindërve janë ende duke diskutuar rreth ndalimit të TikTok-ut, kalimi masiv i adoleshentëve në Clapper shton shqetësimin për mungesën e masave konkrete për sigurinë e fëmijëve në internet. Kjo situatë me brezin e teknologjisë nxjerr në pah se, në vend të ndalimeve të përkohshme të një platforme, duhet të investohet në edukimin digjital të të rinjve, duke i ndihmuar ata të kuptojnë rreziqet dhe përfitimet e përdorimit të rrjeteve sociale.
Në një kohë kur teknologjia ecën me hapa të shpejtë dhe alternativat shfaqen në çdo moment, mbetet për t’u parë nëse ndalimi i TikTok-ut do të sjellë efekte pozitive apo thjesht do të zëvendësohet me një tjetër platformë, e cila, ashtu si pararendësja, mund të jetë po aq problematike, ose dhe më shumë për brezin e ri. Në Shqipëri, vendimi i qeverisë për të ndaluar TikTok-un për një vit, si masë sigurie ndaj adoleshentëve, ka nxitur diskutime të shumta.
Gjithashtu, raportime të ndryshme në media kanë evidentuar raste ku përdorimi i pakontrolluar i TikTok-ut ka çuar në incidente të rënda, duke ngritur shqetësime për mungesën e filtrave dhe kontrollit në këtë platformë.
Zëvendësimi me Clapper mund të sjellë rreziqe të ngjashme, ndërsa shpejt do kthehet në sfidë për prindërit e shoqërinë, duke theksuar rëndësinë e edukimit digjital dhe mbikëqyrjes prindërore për të siguruar një mjedis online të sigurt.
V.Q.
©️zërionline


