Festimi i Vitit të Ri është një nga traditat më të përbashkëta në botë, por mënyra se si e mirëpresin këtë moment të veçantë ndryshon nga një vend në tjetrin. Nga fishekzjarrët madhështorë deri te ritualet e thjeshta familjare, kjo ditë simbolizon një fillim të ri dhe mbart shpresën për një vit më të mirë.
Traditat shqiptare për Vitin e Ri
Në vendin tonë, festimi i ndërrimit të viteve është një nga ngjarjet më të dashura për familjet. Tryeza e pasur, me gjelin e detit si mbretin e darkës dhe ëmbëlsirat tradicionale si bakllavaja, shtrohet për të shijuar momentet e bashkimit dhe bollëkut. Familjet ndajnë urimet për shëndet dhe mbarësi, ndërsa fëmijët mezi presin dhuratat e Vitit të Ri, një zakon që ka rrënjë të forta në kulturën shqiptare.

Një tjetër traditë është dhe zbukurimi i pemës së Vitit të Ri, e cila qëndron si një simbol i gëzimit dhe shpresës për të ardhmen, si dhe vizitat te familjarët për urim. Pjesë e traditës është dhe hyrja e parë në shtëpi, që duhet të jetë një fëmijë djalë pasi besohet se sjell mbarësi për të gjithë vitin.
Si festohet në botë?
Në Japoni, Viti i Ri, i njohur si “Oshogatsu” është një moment reflektimi dhe falenderimi. Familjet pastrojnë shtëpitë e tyre për të larguar çdo energji negative dhe për të mirëpritur fatin e mirë. Gjithashtu, urimet shkruhen në letra të veçanta dhe ndahen me miqtë dhe të afërmit.

Në Spanjë, një nga traditat më interesante është ngrënia e 12 kokrrave rrushi, një për çdo goditje të orës në mesnatë. Çdo kokërr simbolizon fatin dhe begatinë për një nga muajt e ardhshëm të vitit.

Në Brazil, njerëzit veshin rroba të bardha si simbol i paqes dhe pastërtisë. Festa shpesh përfshin vallëzime dhe lëshimin e luleve në det si një ofertë për perëndeshën e oqeanit, Yemanja.

Italianët kanë një traditë të veçantë për të hedhur objekte të vjetra nga dritarja, si një simbol i largimit të së kaluarës dhe mirëpritjes së fillimeve të reja. Po ashtu, një pjatë me thjerrëza është e zakonshme në tryezë, pasi besohet se sjell pasuri.

Një festë globale me mesazhe universale
Pavarësisht nga mënyra e festimit, Viti i Ri ka të njëjtën domethënie për të gjithë. Shpresa për fillime të reja dhe dëshira për një vit më të mirë. Secila kulturë kontribuon me elemente unike në këtë festë universale, duke na kujtuar se, pavarësisht dallimeve, të gjithë ndajmë të njëjtën dëshirë për gëzim, paqe dhe sukses.
Në këtë fillim viti, ndoshta është momenti i duhur për të menduar se çfarë mund të marrim nga këto tradita të ndryshme dhe si mund t’i bëjmë festimet tona më të veçanta e kuptimplota.
Gëzuar Vitin e Ri!
©️zërionline


