Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar se përveç Unazës së Madhe të Tiranës, që synon të lehtësojë trafikun dhe të ndikojë në zhvillimin ekonomik të zonës ku kalon, pasi rrit çmimet e banesave dhe favorizon bizneset, një tjetër projekt i rëndësishëm infrastrukturor është autostrada Durrës-Tiranë. Ky aks i rëndësishëm rrugor po pëson ndryshime ditë pas dite. Balluku është shprehur për median se ky aks do të kalojë në kategorinë A të autostradave me zgjerimin e korsive dhe shtimin e limitit të shpejtësisë.
“Aksi Tiranë-Durrës do të bëhet autostradë gjithashtu e kategorisë A, pasi aktualisht është autostradë e kategorisë B, me dy korsi. Punimet janë duke ecur shumë mirë, 25% e volumeve është realizuar deri tani. Po punojmë me hapjen dhe mbushjen e trupit të rrugës ku shtohen dy korsi, një në çdo krah. Janë korsi të plota aksesi, nga 3.75 metra ndërkohë që shtohet edhe një korsi e katërt në të dyja krahët që është korsia e emergjencës që është 3 metra. Shtohet me 4 korsi e gjithë autostrada, dy në të dyja krahët duke çuar kështu në një autostradë të kategorisë A dhe duke i dhënë mundësinë për shpejtësi deri në 130 km dhe duke e sjellë në parametra me të gjitha autostradat e reja që po ndërtojmë.”

©️zërionline


