Vali Qyrfyçi
Në një kohë kur shumë të rinj shqiptarë zgjedhin të largohen për mundësi më të mira jashtë vendit, Jona Doda, një vajzë nga Durrësi, vendosi të bëjë të kundërtën: të kthehet dhe të sjellë një ndryshim domethënës. Me një formim të shkëlqyer akademik dhe përvojë profesionale në Londër, ajo ndërtoi vitin që kaloi një startup inovativ në fushën e shëndetit mendor, duke krijuar urën mes teknologjisë dhe mirëqenies emocionale.
Një platformë për ndryshim
Pasioni i Jonës për të ndihmuar të tjerët dhe përvoja e saj personale me sfidat e emigracionit e shtynë drejt krijimit të “Bliss”, platformës së parë të terapisë online në gjuhën shqipe. Qëllimi kryesor është të demokratizojë aksesin në mbështetjen psikologjike, duke ofruar ndihmë cilësore për shqiptarët kudo që ndodhen.
“Gjithçka nisi nga përvoja personale dhe problematikat që hasim si shoqëri. Emigracioni shpesh sjell izolim dhe vetmi, ndërsa stigma ndaj shëndetit mendor i largon njerëzit nga marrja e ndihmës së duhur. ‘Bliss’ synon të thyejë këto barriera duke ofruar terapi të aksesueshme, të sigurt dhe efektive.”
Në një realitet ku shumë njerëz hezitojnë të kërkojnë ndihmë për sfidat emocionale, për shkak të paragjykimeve ose mungesës së profesionistëve të specializuar, Jona solli një zgjidhje fleksibile dhe moderne.
E qetë, e artikuluar dhe me një vizion të qartë, Jona Doda është një shembull pozitiv dhe frymëzues për të rinjtë që kërkojnë të krijojnë një të ardhme në vendin e tyre, por jo vetëm. Ajo beson se suksesi nuk vjen vetëm nga zgjedhjet akademike, por nga pasioni dhe këmbëngulja për të bërë diçka që ka vlerë.
“Kur je 17-18 vjeç, shpesh nuk e di saktësisht çfarë do. E rëndësishme është të ndjekësh një fushë që të pëlqen dhe të jesh i hapur për të mësuar. Karriera nuk është një vijë e drejtë, por një rrugëtim dinamik që të lejon të eksplorosh dhe të rritesh”, thotë ajo.

Rikthimi në Shqipëri nuk ishte një hap prapa për Jonën, por një mundësi për të kontribuar në komunitetin e saj. Në një botë të globalizuar, ku teknologjia mundëson lidhje të menjëhershme, ajo pa një hapësirë të paeksploruar për të sjellë shërbime inovative.
Ambiciet për të ardhmen
E ardhmja për “Bliss” është ambicioze. Jona synon të zgjerojë shërbimet dhe të arrijë më shumë njerëz në nevojë. Ajo po punon për të bashkëpunuar me korporata dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë një kompani finlandeze, duke integruar mbështetjen emocionale si një pjesë të mirëqenies së punonjësve.
“Ne nuk ndihmojmë vetëm individët, por edhe bizneset që kuptojnë rëndësinë e shëndetit mendor për produktivitetin dhe cilësinë e jetës. Objektivi ynë është ta bëjmë terapinë, të ofruar nga profesionistë të fushës, të aksesueshme dhe të natyrshme për të gjithë”,– thekson ajo.
Sfidat dhe rruga drejt suksesit
Ndërtimi i një startup-i nga zeroja nuk ishte i lehtë. Jona u përball me sfida të shumta, nga sigurimi i financimeve deri te ndryshimi i mentalitetit mbi shëndetin mendor. Megjithatë, ajo nuk u dorëzua.
“Pati momente kur mendova se ndoshta ishte shumë e vështirë për t’u realizuar, por besimi tek rëndësia e misionit tonë më shtyu të vazhdoja,” – tregon ajo.
Sot, “Bliss” po fiton gjithnjë e më shumë besim dhe po bëhet një urë lidhëse mes profesionistëve dhe atyre që kanë nevojë për ndihmë, duke krijuar një hapësirë të sigurt për mirëqenien emocionale.
Jona është dëshmi se suksesin mund ta ndërtosh kudo, mjafton të kesh vizion dhe guxim. Laptopi që ajo mban gjithmonë pranë nuk është thjesht një mjet pune, por porta drejt një ndryshimi real për mijëra njerëz. Me një përkushtim të palëkundur, ajo vazhdon të ndërtojë ura mes inovacionit dhe mirëqenies emocionale, duke treguar se një ide e thjeshtë mund të shndërrohet në një lëvizje me ndikim të madh.

Në Shqipërinë tonë që gjithnjë ka nevojë për shembuj suksesi dhe energji të reja, historia e Jonës është frymëzim për këdo që ëndërron të bëjë një ndryshim, duke mos harruar rrënjët dhe duke kontribuar për bashkëkombasit kudo që ndodhen.

©️zërionline


