Pas vendimit të administratës Trump për ndërprerjen e ndihmës së huaj, duket se edhe qeveria shqiptare ka ndjekur një qasje të ngjashme, duke lënë organizatat jo fitimprurëse pa financim nga buxheti i shtetit.
Sipas Spending Data Albania, më 24 janar, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ka kryer një pagesë prej 2 miliardë lekësh (20.4 milionë euro) në favor të shoqërisë shtetërore ALBCONTROL. Kjo shumë është regjistruar nën kategorinë e shpenzimeve “Të tjera transferta për institucione jo fitimprurëse”, por përshkrimi përkon me një “transfertë për ALBCONTROL – dhënie hua”.
ALBCONTROL është një shoqëri publike, plotësisht në pronësi të shtetit shqiptar. Llogaritë e saj bankare jashtë vendit janë konsideruar asete shtetërore dhe janë vendosur nën sekuestro për shkak të një vendimi të Arbitrazhit Ndërkombëtar në favor të biznesmenit Francesco Bechetti, i cili ka fituar një çështje kundër qeverisë shqiptare.

Kjo nuk është pagesa e parë e këtij lloji. Më herët, një transfertë prej 3 miliardë lekësh (30.6 milionë euro) është kryer përmes llogarisë së Shërbimit të Borxhit. Në total, në 14 muajt e fundit, shteti dhe taksapaguesit shqiptarë kanë transferuar 51 milionë euro drejt ALBCONTROL, duke paguar në mënyrë të tërthortë detyrimet ndaj Bechettit, pasojë e keqmenaxhimit të qeverisë shqiptare në këtë çështje.
Kjo shumë përbën më pak se gjysmën e detyrimit që Shqipëria duhet t’i paguajë Bechettit sipas vendimit të arbitrazhit.
Keqpërdorimi i fondeve publike
Fondet e kategorisë “Të tjera transferta për institucione jo fitimprurëse” janë të destinuara për shoqata dhe organizata që ofrojnë shërbime për publikun në fushat e kulturës, promovimit, ndërgjegjësimit dhe integrimit. Përfitues të këtyre fondeve duhet të jenë vetëm subjektet që veprojnë në përputhje me Ligjin për Organizatat Jo Fitimprurëse. Sipas drejtueses ekzekutive të Open Data Albania Aranita Brahaj, ky është një rast i qartë i shkeljes së Ligjit për Buxhetin e Shtetit, ku vetë qeveria i ka devijuar fondet drejt një ndërmarrjeje shtetërore, në vend që t’i përdorë për qëllimin e përcaktuar.
Organizata AIS ka njoftuar se do të vazhdojë të publikojë pagesat e Thesarit, duke ofruar monitorim dhe transparencë mbi shpenzimet publike në kohë reale.
©️zërionline


