Tiranë– Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rinisur sot në orën 13:30 seanca për verifikimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe disa biznesmenëve të akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Burime nga seanca, e cila po zhvillohet me dyer të mbyllura, raportojnë për një konfrontim verbal mes Veliajt dhe prokurorit Olsi Dado.
Kryebashkiaku i Tiranës thuhet sipas burimeve mediatike se i është drejtuar prokurorit me fjalët:
“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi dhe ke marrë leje ndërtimi nga unë. Pasi ke mbetur i pakënaqur, më ke thënë: “Do ta mbash mend”. Tani ke dy rrugë: ose të tërhiqesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu.”
Seanca, e parashikuar të niste në orën 08:30, u shty fillimisht për shkak të një defekti në furnizimin me energji elektrike dhe më pas për shkak të kërkesës së mbrojtjes për t’u njohur me 6 fashikujt e dosjes hetimore.
Në fillim të seancës, prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani sqaruan se Veliaj nuk është person i dënuar, duke “përmirësuar” një gabim në dosjen e hetimeve.
Akuzat e SPAK dhe skema e dyshuar korruptive
Sipas SPAK, Veliaj akuzohet për 9 raste korrupsioni dhe pastrim parash, ndërsa Ajola Xoxa për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.


Hetuesit pretendojnë se kryebashkiaku ka krijuar një skemë korruptive, në të cilën përfshihen kompani të lidhura me bashkëshorten e tij dhe 6 biznesmenë. Fondet publike janë shpërndarë tek biznesmenët e akuzuar për korrupsion, të cilët më pas kanë kaluar shuma të konsiderueshme tek organizata jofitimprurëse dhe kompani të lidhura me Ajola Xoxën.
Sipas SPAK, nga kjo skemë janë gjeneruar mbi 1.1 milion euro përmes 8 bizneseve dhe OJF-ve të kontrolluara nga Xoxa dhe biznesmeni Elman Abule.
Gjatë hetimeve, SPAK ka zbuluar se Ajola Xoxa ka shpenzuar mbi 860 mijë euro për veshje dhe bizhuteri në 6 vitet e fundit, shpenzime të cilat nuk i ka deklaruar.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka sekuestruar:
– Një vilë 494 m² në Qerret, ndërtuar nga kompania Agi Kons e Gentian Sulës
– Dy llogari bankare të Ajola Xoxës me një vlerë totale prej 869,149 euro
– 115 mijë euro cash, të gjetura në një kasafortë gjatë kontrolleve në një prej bizneseve të Xoxës
Masat e sigurisë dhe të akuzuarit në dosje
| Emri | Masa e sigurisë | Akuzat |
| Erion Veliaj |Arrest me burg | Korrupsion pasiv (9 raste), Pastrim parash |
| Ajola Xoxa |Arrest shtëpie | Korrupsion, Pastrim parash, Fshehje pasurie |
| Elman Abule |Arrest me burg | Pastrim parash |
| Gentian Sula|Detyrim paraqitje | Korrupsion aktiv |
| Meriman Palushi |Detyrim paraqitje | Korrupsion aktiv |
| Fatmir Bektashi |Detyrim paraqitje | Korrupsion aktiv |
| Sokol Kryeziu |Detyrim paraqitje | Korrupsion aktiv (masa nuk është ekzekutuar) |
| Shkëlqim Fusha |Detyrim paraqitje | Korrupsion aktiv |
Prokuroria e Posaçme ka argumentuar se ka prova të forta për përfshirjen e tyre në një rrjet të strukturuar korrupsioni dhe pastrimi parash.
©️zërionline


