Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Measures”, duke ekzekutuar katër masa sigurie ndaj personave të dyshuar për kontrabandë dhe shpërdorim detyre. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Në kuadër të hetimeve të zhvilluara, Gjykata e Durrësit lëshoi më 12 shkurt 2025 gjashtë masa sigurie, katër prej të cilave u ekzekutuan, ndërsa dy persona të tjerë u shpallën në kërkim pasi nuk u gjetën në banesë.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan shtetasit:
- Sarkan Mërkuri, 33 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Kontrabandë me mallra me regjim të ndërmjetëm”, me masë sigurie “Arrest me burg”.
- Tomorr Zekthi, 47 vjeç, banues në Cërrik, për të njëjtën vepër penale, i arrestuar me masë sigurie “Arrest me burg”.
- Vladimir Vladi, 66 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.
- J. B., 59 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, me masë sigurie “Detyrim paraqitjeje”.
Ndërkohë, vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e dy personave të shpallur në kërkim.
©️zërionline


