Durrësi mikpriti nisjen e fushatës promovuese për Euro U-17 “Shqipëri 2025”.
Fëmijë, të rinj dhe përfaqësues të botës së sportit morën pjesë në eventin festiv të organizuar nga FSHF, ku u theksua rëndësia historike e këtij turneu për vendin tonë. Gjatë aktivitetit në qendër të Durrësit u bë thirrje për mbështetje të gjerë për ekipin kombëtar dhe për mikpritje dinjitoze të 7 skuadrave të tjera europiane që do të garojnë në këtë turne.
Federata Shqiptare e Futbollit e ka nisur kështu nga Durrësi fushatën promovuese për Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”, i cili do të zhvillohet në vendin tonë nga 19 maji deri më 1 qershor.
Aktiviteti kishte karakter festiv dhe synonte të përfshinte komunitetin vendas në këtë ngjarje historike për sportin shqiptar.

Në këtë promovim morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, ambasadori i turneut Klaus Gjasula, përfaqësues të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së si dhe drejtues të SHRF Durrës.
Gjatë fjalës së tij, kreu i futbollit shqiptar e cilësoi organizimin e këtij Europiani për herë të parë në Shqipëri si një moment historik. “Vetëm një muaj më vonë, 7 ekipet më të mira të Europës do t’i bashkohen skuadrës tonë për të zhvilluar këtë kompeticion të rëndësishëm që ndodh për herë të parë në historinë e Shqipërisë. Jemi krenarë për këtë mundësi dhe besoj se me mbështetjen tuaj do të realizojmë një kampionat model. Do ta kthejmë këtë Europian në një festë më shumë se sportive”,– u shpreh Presidenti Armand Duka.
Ai shtoi se katër stadiumet ku do të luhen ndeshjet janë të gatshme, ndërsa janë rikonstruktuar edhe 10 fusha trajnimi me mbështetjen e qeverisë dhe FSHF-së.
“Jam i bindur që edhe Durrësi, si tre qytetet e tjera, do të jetë një mikpritës i shkëlqyer”, – tha Duka.
Zv.ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, theksoi se një ngjarje e tillë do t’i sjellë gjallëri, turizëm dhe jetë qytetit bregdetar. “Besoj se përgatitja për Durrësin është në nivelin më të lartë dhe të gjithë së bashku do të shijojmë mrekullinë e këtij eventi”, tha ai.
Nga ana tjetër, ambasadori i turneut, Klaus Gjasula, përshëndeti të pranishmit dhe i bëri thirrje publikut të mbështesë ekipin kombëtar U-17. “Do të përballemi me një grup të fortë, por do të shijojmë çdo moment dhe do të tregojmë kush jemi. Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne”, – tha Gjasula.


Stadiumi “Niko Dovana” në Durrës është një nga katër stadiumet pritëse të Kampionatit Europian U-17 dhe do të presë disa nga ndeshjet e këtij edicioni. Në këtë turne do të marrin pjesë ekipet më të mira europiane të moshës nën 17 vjeç, përfshirë Shqipërinë si vend organizator.
©️zërionline


