Shefi i spiunazhit izraelit njofton dorëheqjen pas përplasjes me Netanyahun

Date:

Share post:

Kreu i agjencisë së inteligjencës së brendshme të Izraelit Shin Bet, Ronen Bar, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga detyra më 15 qershor, gjatë një aktiviteti përkujtimor për anëtarët e Shin Bet që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Bar i ka dhënë vetes edhe disa javë kohë për të finalizuar largimin, në një moment kur tensionet në skenën politike izraelite janë shumë të larta. Vendimi vjen pas një përplasjeje të ashpër me kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili muajin e kaluar kishte ndërmarrë një përpjekje për ta shkarkuar atë, një veprim që u pezullua pas sfidimit në Gjykatën Supreme nga prokurori i përgjithshëm dhe opozita.

Në fjalën e tij, Ronen Bar tha se kishte zgjedhur të njoftonte dorëheqjen në një mbrëmje që simbolizon “kujtesën, heroizmin dhe sakrificën”. Ai shtoi se çdo zyrtar që dështoi të ndalonte sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023, të cilat çuan në luftën në Gaza, duhet të përulej “para atyre që u vranë, u plagosën ose u morën peng” dhe të vepronte me përgjegjësi.

Përplasja midis Bar dhe Netanyahut ka hedhur dritë mbi ndarjet e thella politike në Izrael. Të dielën, Netanyahu paraqiti një deklaratë me betim në Gjykatën Supreme, duke e akuzuar Barin për gënjeshtra. Nga ana e tij, shefi i Shin Bet akuzoi kryeministrin për kërkesë të tepruar besnikërie personale dhe për presion që agjencia të spiunonte protestuesit antiqeveritarë.

Përplasja ka thelluar ndasitë midis mbështetësve të vijës së ashpër të Netanyahut dhe qytetarëve më liberalë, të cilët kanë protestuar prej muajsh kundër përpjekjeve për të kufizuar pushtetin e gjyqësorit.

Netanyahu këmbëngul se shkarkimi i Bar lidhej me “dështimet profesionale” në menaxhimin e sigurisë para sulmeve të 7 tetorit. Por Bar kundërshton, duke deklaruar se motivet ishin politike dhe personale. Ai theksoi se Netanyahu e kishte detyruar të zgjidhte midis bindjes ndaj kryeministrit dhe respektimit të gjykatave në rast të një krize kushtetuese.

Akuza të tjera të rënda dolën në dritë. Sipas Barit, Netanyahu kishte kërkuar përdorimin e Shin Bet për të përgjuar izraelitët që mbështesnin financiarisht protestat antiqeveritare, çka ka shkaktuar reagime të forta shqetësimi në vend.

Në kundërpërgjigjen e tij, Netanyahu e quajti pretendimin një “gënjeshtër absolute”, duke akuzuar Barin për përgjegjësi të drejtpërdrejtë për dështimet e 7 tetorit dhe humbjen e besimit të qeverisë ndaj tij.

Bar, nga ana e tij, reagoi menjëherë, duke thënë se deklarata e Netanyahut ishte “plot me pasaktësi dhe manipulime”.

Aktualisht, Gjykata e Lartë ndodhet përballë dilemës për të përcaktuar se kujt t’i besojë. Megjithatë, Bar tha se mbetet i gatshëm të marrë pjesë në çdo proces të ardhshëm gjyqësor, duke theksuar se çështja nuk lidhet me të si individ, por me pavarësinë e drejtuesve të ardhshëm të agjencisë Shin Bet.

Përplasja e fundit mes dy figurave të larta ka rikthyer në qendër të vëmendjes përçarjet gjithnjë e më të thella në shoqërinë izraelite, mes atyre që duan të vazhdojnë luftën për të eliminuar Hamasin dhe atyre që kërkojnë lirimin e pengjeve izraelite, edhe nëse kjo do të kërkonte një marrëveshje paqeje.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Flakët djegin magazinën me fishekzjarre e lodra plastike në Durrës, dy zjarrfikës përfundojnë në spital nga asfiksia

Para se flakët të viheshin nën kontroll, një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu pasditen e së enjtes...

Zjarr i madh në Belsh, temperaturat e larta favorizojnë flakët; rrezikohen banesat

Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme disa zona të bashkisë së Belshit, duke krijuar një...

Pastronte paratë e kokainës, gjykata greke i hap rrugë ekstradimit të Ilir Shtufit në Shqipëri

Biznesmeni Ilir Shtufi do të ekstradohet drejt Shqipërisë, pasi Gjykata e Apelit të Selanikut vendosi në favor të...

Dhunoi 2-vjeçarin, arrestohet edukatorja në Tiranë

Një edukatore në një kopsht privat në Tiranë është arrestuar, pasi ka dhunuar një të mitur. Në praga...