Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi një fond prej 3 milion lekësh për lidhjen me energjinë elektrike dhe rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve në lagjen e re në Spitallë, ndërtuar për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ky vendim u miratua me 27 vota pro, 6 kundër dhe 1 absence.

Në të njëjtën mbledhje ngjalli debat projekt-vendimi i hartuar nga Zyra e Posaçme të Rindërtimit, pasi disa prej personave të përfshirë më parë në listat e miratuara nga KB si përfitues nga programi i Rindërtimit, pas një verifikimi të ri rezulton se nuk i plotësojnë kriteret ligjore për të përfituar nga ky program.

Në këtë kuadër, Bashkia kërkon ndryshimin e katër vendimeve të mëparshme të Këshillit Bashkiak, që i përkasin vitit 2021, për të hequr nga lista e përfituesve emra si Muhamet Vata, Alban dhe Irvana Tarelli, Lirim Murrja, Petrit dhe Irma Dakavelli, Eduart dhe Blerina Matmuja, Mentor Muja, Dajana Lumi, Arti Mancka, si dhe të tjerë.
Ndryshimet prekin pallatet e dëmtuara në rrugët “Aleks Komneni”, “Ramadan Veliu”, “Bajram Tusha” dhe “26 Nëntori”. Bashkia argumenton se përjashtimet janë bërë pas rivlerësimit të rasteve për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore për përfitim, po këshilltarët e opozitës e kanë quajtur të papranueshme këtë.

Sipas nënkryetarit të bashkisë Gentian Kallmi, pas verifikimeve të bëra nga bashkia, në bashkëpunim me ASHK-në dhe gjendjen civile, dy arsyet kryesore të mospërfitimit janë fakti se kanë banesë tjetër, pra dypronësia në disa raste dhe vendbanimi i disa familjeve jo zyrtarisht në qytetin e Durrësit.
Këshilltari bashkiak i PD, Ardian Muka tha se “në momentin që i shpronësojmë të drejtën e apartamentit, nuk i shpronësojmë dot të drejtën e truallit. Trualli mbetet aty edhe kur pallati shembet. Ai person që ka pasur apartamentin sipër gëzon 1/50 pjesë të truallit. Atij njeriu i lind e drejta nesër ta çojë në gjykatë dhe do ta fitojë atë apartament. Natyrisht, në një regjim diktatorialo- komunist gjithçka ndodh.”


Ndërkaq edhe këshilltari Jonuz Myshketa u shpreh: “Ka një VKM, por është e padrejtë. Le t’i shohim gjërat në sy siç janë. Pse duhet të fshihemi pas VKM-ve, kur ato familje që kanë investuar jetën e tyre, mundin e tyre, djersën e tyre me një të rënë të lapsit zerohen?!”
Gjithsesi dhe kjo pikë u miratua me 28 vota pro të këshilltarëve të majtë.
©️zërionline


