Zbardhet ngjarja e rëndë në fshatin Godvi të Bulqizës, ku 62-vjeçari Urim Fiku u raportua fillimisht se kishte humbur jetën pas sulmit nga një ari. Hetimet dhe ekspertiza mjekoligjore zbuluan se ai ishte vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.

Në pranga kanë përfunduar bashkëshortja e tij, Sadete Fiku 57 vjeçe, dhe djali Gazmir Fiku 33-vjeçar. Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar në kryerjen e krimit.
Ngjarja u regjistrua më 3 nëntor, ndërsa pas një hetimi intensiv, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, dokumentoi rrethanat e vrasjes.
Sipas hetimeve, familjarët kishin raportuar se 62-vjeçari ishte sulmuar nga një kafshë e egër, por ekzaminimet mjekoligjore nxorën në dritë një tjetër version të ngjarjes.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi një pistoletë model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete të gjetur në oborrin e banesës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.
©ZëriOnline


