Një 38-vjeçar shqiptar, Arbër Meçaj, ka humbur jetën tragjikisht gjatë një ndjekjeje nga policia në qytetin bregdetar Nettuno, pranë Romës. Mecaj, i cili nuk kishte precedentë penalë, po transportonte në makinë një sasi të konsiderueshme droge me vlerë mbi një milion euro.
Sipas hetuesve, ai ishte një korrier droge që vepronte në bashkëpunim me një italian 26-vjeçar, me të cilin ndanin rolet për të kryer të ashtuquajturën “stafetë” të dorëzimit të lëndës narkotike. Të dy po lëviznin me makina të ndryshme dhe ishin vënë nën mbikëqyrje nga policia italiane, e cila dyshonte se po përgatitej një dorëzim droge në Nettuno.
Kur policia sinjalizoi për të ndaluar, Meçaj, që ndodhej në një Fiat 500 L, vendosi të arratisej me shpejtësi nëpër rrugët e qytetit. Ndjekja zgjati rreth 30 minuta, derisa ai humbi kontrollin e automjetit në rrugën “Via Spaventa”, duke u përplasur me një shtyllë dhe përfunduar i përmbysur jashtë rruge. Brenda mjetit u gjet një çantë me 23 pako kokaine, me një peshë totale prej 25 kilogramësh.
Shqiptari ndërroi jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e përplasjes së fortë. Trupi i tij u dërgua për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore të spitalit Tor Vergata në Romë.
Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij italian është ndaluar nga policia dhe është transferuar në burgun e Velletri-t, ku do të merret në pyetje nga gjykatësi hetues. Ai akuzohet për bashkëpunim në trafik dhe posedim të lëndëve narkotike me qëllim shitjeje. Sipas mediave italiane, ai ka zgjedhur të heshtë përpara autoriteteve.
Prokuroria e Velletri-t ka hapur një dosje hetimore për ngjarjen dhe po heton për të përcaktuar me saktësi dinamikën e ndjekjes, si dhe origjinën e drogës. Sipas hipotezave të para, sasia e kokainës ishte destinuar për shpërndarje në bregdetin e Lacios, në zonën e Romës dhe Pontinos. Hetuesit nuk përjashtojnë përfshirjen e grupeve kriminale, mes tyre organizata Ndrangheta dhe rrjete kriminale shqiptare që operojnë në Anzio, Nettuno dhe Aprilia.
©️zërionline


