1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, festohet çdo vit si një ditë gëzimi, lojërash dhe dhuratash për më të vegjlit tanë. Në qytete e fshatra, organizohen aktivitete festive, ngjyrosen rrugët me tullumbace dhe tinguj muzikorë, ndërsa institucionet publike dhe private synojnë të sjellin një atmosferë gëzimi për fëmijët. Por përtej festës, kjo ditë duhet të jetë edhe një moment reflektimi për të kuptuar dhe adresuar nevojat reale të fëmijëve tanë.

Realiteti përtej festimeve
Shifrat tregojnë se një përqindje e konsiderueshme e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri relative apo ekstreme, veçanërisht në zonat rurale, në familjet me të ardhura të ulëta, ose në komunitete të margjinalizuara. Mungesa e ushqimit të shëndetshëm, kushteve të përshtatshme për të mësuar dhe qasjes së barabartë në shërbimet shëndetësore e sociale mbetet një sfidë serioze.
Shkollimi cilësor është ende një sfidë për shumicën e fëmijëve padallim, jo vetëm për ata me nevoja të veçanta ose që jetojnë në kushte të vështira ekonomike.
Gjithashtu, mungesa e psikologëve të angazhuar shkollorë, jo thjesht punonjës që nxitojnë të kryejnë detyrën përmes realizimit të planeve mujore, apo strukturave mbështetëse për fëmijët që përjetojnë dhunë në familje apo në shkollë mbetet një plagë e heshtur në shumë komunitete.
Raportet vjetore të organizatave që punojnë për të drejtat e fëmijëve tregojnë se gjithnjë e më shumë fëmijë vuajnë nga ankthi, izolimi social, ose ndjenja të mungesës së sigurisë. Kjo është një thirrje për institucionet që të investojnë më shumë në shërbime psikologjike dhe mbështetje emocionale për fëmijët.
Dita e Fëmijëve nuk duhet të kufizohet në aktivitete simbolike, por të shërbejë si nxitje për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Nevojiten më shumë investime në arsimin cilësor, në shëndetësinë pediatrike, në programe të mbështetjes sociale për familjet e varfra, si dhe në krijimin e hapësirave të sigurta për lojë dhe zhvillim personal.
Fëmijët kanë nevojë për një fëmijëri të lumtur, të sigurt dhe të mbrojtur.
Ata nuk kanë nevojë vetëm për lodra, por për arsim cilësor, për ushqim të shëndetshëm, për dashuri, për dëgjim dhe për një të ardhme që të ndërtohet mbi themele të forta. Këto janë sfidat tona të forta si shoqëri, si prindër e të rritur.
1 Qershori është një mundësi për të parë me sy të kthjellët realitetin e fëmijëve tanë dhe për të vepruar me përgjegjësi. Nëse duam të ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe të zhvilluar, atëherë duhet të fillojmë duke mbrojtur dhe përmbushur nevojat themelore të fëmijëve sot.
Sepse çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë me dinjitet, të mësojë me gëzim dhe të rritet me dashuri. Dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve. Jo vetëm më 1 Qershor, por çdo ditë të vitit.
©️zërionline


