Mbrëmjen e 1 qershorit, sheshi “29 Nëntori” në Shijak u gjallërua, teksa qyteti mirëpriti edicionin e dytë të “Shijak Boxing Fight Nights”, një event që po kthehet në traditë për komunitetin.
Organizuar nga Bashkia Shijak në bashkëpunim me “Titans Fights”, kjo mbrëmje sportive dhe kulturore solli në ring boksierë e kickboksierë nga Shqipëria, Kosova, Anglia, Franca, Italia, Portugalia, Nepali dhe Senegali. Aktiviteti nisi me katër përballje të kategorive të moshave të reja dhe vijoi me 12 ndeshje të tjera të forta, ku kampionë të peshave 60 deri në 92 kilogramë testuan kufijtë e forcës dhe teknikës.

Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, në hapjen e aktivitetit u shpreh se eventi nuk ishte vetëm një ngjarje sportive, por edhe një mundësi për të promovuar vlera si disiplina, gara e ndershme dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
“Është kënaqësi të presim një aktivitet që nxit të rinjtë drejt sportit dhe shëndetit. Jemi krenarë që Shijaku po kthehet në një pikë referimi për aktivitete të tilla”, tha Arbana, duke falënderuar trajnerët dhe sportistët për kontributin e tyre.
Një nga organizatorët kryesorë, trajneri Enton Kikrri, theksoi rëndësinë që kanë këto nisma për promovimin e sportit tek të rinjtë.
“Kemi sjellë boksierë nga shumë vende të botës. Është një sfidë e bukur dhe frymëzuese. Aktiviteti përfshin dhe të rinjtë, për t’i nxitur drejt një jete aktive dhe të shëndetshme”, tha Kikrri, duke shtuar se ky ishte një nga eventet më të mëdha të organizuara ndonjëherë në qytet.
Një moment emocionues i mbrëmjes ishte edhe pjesëmarrja në ring e 8-vjeçarit Hegel Kërtusha, që zhvilloi ndeshjen e tij të parë zyrtare.
“Në fillim ishte e vështirë, por tani më pëlqen shumë. Dua të bëhem boksier”- tha Hegeli, i emocionuar pas sfidës së tij të parë.
Ndër yjet e mbrëmjes spikati shqiptaro-britaniku James “The Flames”, i cili triumfoi në njërën prej sfidave kryesore. Me rrënjë shqiptare dhe jetë në Londër, ai ndau emocionet dhe përshtypjet për Shqipërinë.
“Ndeshja ishte shumë e fortë. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Do të rikthehem sërish”, tha ai pas fitores.
Eventi solli duele në ring dhe atmosferë festive me muzikë dhe valle tradicionale shqiptare. I ftuar special ishte aktori dhe këngëtari Bes Kallaku, që kontribuoi në kthimin e mbrëmjes në një festë të vërtetë për qytetarët.

Në publik nuk munguan figurat e njohura të sportit shqiptar, si ish-kampioni Kreshnik Qato, presidenti i Federatës së Boksit Florend Kalivopuli dhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli.
“Shijak Boxing Fight Nights 2” dëshmoi edhe një herë se sporti ka forcën për të bashkuar komunitete, për të frymëzuar brezat e rinj dhe për ta vendosur Shqipërinë në hartën e sporteve luftarake ndërkombëtare.
©️zërionline


