Çfarë ndodh me ne pasi vdesim? Është pyetja e madhe që ka ndjekur njerëzimin ndër shekuj. Nga përfytyrimet fetare te shpjegimet shkencore, përgjigjet janë të shumta, por asnjëra përfundimtare. Megjithatë, një përvojë e jashtëzakonshme e ndarë nga një përdorues anonim i Reddit në internet po ngjall kureshtje dhe ankth njëkohësisht, duke hedhur një dritë ndryshe mbi jetën pas vdekjes.
Në një postim që është komentuar dhe shpërndarë me mijëra herë, ai përshkruan se çfarë ndodhi kur zemra e tij pushoi së rrahuri për gjashtë minuta, në vitin 2003. Ishte vetëm 15 vjeç në atë kohë kur, pa paralajmërim, ra pa ndjenja në rrugë për shkak të një krize të papritur shëndetësore.
“Humba frymën dhe rashë,” kujton ai. “Më vonë më thanë se një grua në një makinë gati më shtypi. Ajo frenoi fort dhe thirri ndihmë.” Kur ambulanca mbërriti, zemra e tij kishte ndaluar. Për mjekët, ai ishte teknikisht i vdekur.
Por për të, ajo që pasoi nuk ishte drita e bardhë e shumëpërfolur, as ndjesia e paqes. “Nuk pashë asgjë. Vetëm zbrazëti. Jo errësirë, jo dritë. Asgjë”, shkruan ai. Rrëfimi i tij i përngjan më shumë një gjendjeje të ftohtë, të huaj dhe të frikshme, se sa një përvoje shpirtërore.
Ai tregon për një ndjesi humbjeje të vetes, sikur ishte larguar nga çdo ndjenjë ekzistence.
“Nuk isha më unë, por gjithashtu nuk isha asgjë. Si një hapësirë bosh që nuk kupton kohën”, thotë ai. Dhe pastaj, papritur, u rikthye. Si me një tërheqje të furishme në trup.
Rrëfimi i tij ka tronditur shumë njerëz. Disa komentues besojnë se ai ka përjetuar një realitet tjetër të ndërgjegjes njerëzore; të tjerë e shohin si provë të mungesës së jetës pas vdekjes. Por mbi të gjitha, ajo që tërheq vëmendjen është ndjesia e pasigurisë dhe çuditshmëria e përvojës.
A është vdekja vërtet fundi i gjithçkaje? Apo një kalim në një dimension që mendja jonë e gjallë nuk mund ta kuptojë? Për aq kohë sa askush nuk mund të kthehet të na tregojë me siguri, rrëfime si ky mbeten ndoshta dritaret më të afërta që kemi drejt misterit më të madh të jetës: çfarë ndodh pas vdekjes?
©️zërionline


