Një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh u zbulua në portin e Durrësit, në një operacion të përbashkët mes Policisë Kufitare, autoriteteve doganore dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Gjatë kontrollit të një kontenieri të ardhur nga Kosova, u gjetën të fshehura në një automjet tip Land Rover tre armë zjarri dhe 1580 fishekë luftarakë.
Mjeti i dyshuar kishte hyrë në Shqipëri në datën 20 dhjetor 2022, përmes Pikës së Kalimit Kufitar në Morinë. Ai ishte deklaruar si pjesë e një transiti doganor me destinacion përfundimtar Republikën Demokratike të Kongos. Për më shumë se një vit e gjysmë, kontenieri që mbante automjetin ka qëndruar në ambientet e portit të Durrësit, i mbyllur, pasi dërguesi nuk ishte paraqitur për të kryer procedurat doganore.
Më 4 qershor 2025, autoritetet doganore vendosën hapjen dhe kontrollin fizik të kontenierit. Gjatë këtij kontrolli, në brendësi të automjetit u zbuluan: dy armë automatike, një pistoletë, 1580 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe 12 krehra fishekësh.


Hetimet e deri tani kanë çuar në identifikimin e poseduesit të dyshuar të ngarkesës së paligjshme. Bëhet fjalë për shtetasin kosovar Y. I., 24 vjeç, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Autoritetet shqiptare janë duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, armët e sekuestruara janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime balistike, teknike dhe daktiloskopike, me qëllim verifikimin nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.
Hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës, me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të dyshuar kriminale të trafikut të armëve dhe municioneve.
©️zërionline


