Është mbyllur zyrtarisht afati i aplikimeve për postin e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë së re në vend. Por nëse procedura ka ndjekur rrjedhën e saj ligjore dhe administrative, ajo që po ndodh në prapaskenë ka ngjallur vëmendje të veçantë. Në listën e aplikantëve, sipas burimeve të pazyrtarizuara, ndodhet edhe një emër që dikur u largua në mënyrë të papritur nga skena publike, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Nano, që u largua në gusht të vitit 2022 pas ngjarjes tragjike në Potam, ku humbi jetën një vajzë e mitur, u prezantua si një drejtues që mori mbi vete përgjegjësinë morale për dështimet në zinxhirin e kontrollit të rendit publik. Por, pas më shumë se dy vitesh heshtje, emri i tij kthehet sërish në qendër të vëmendjes dhe me të rikthehen edhe pikëpyetjet: A ishte me të vërtetë vetëm një dorëheqje morale, apo pas vendimit për largimin e tij fshiheshin arsye më të thella dhe më komplekse?
Në të njëjtin vit, një tjetër episod hodhi hije të rënda mbi drejtimin e tij. Takimi prej më shumë se dy orësh me Jeton Lamin, ish-efektivin e policisë që shoqëronte në mënyrë të dyshimtë më të shumëkërkuarin e kohës, Ervis Martinajn. Ky takim, që ndodhi në zyrën e vetë Nanos, u pasua menjëherë nga vendimi për largimin e tij nga detyra. Rasti ngjalli spekulime dhe diskutime të shumta për marrëdhënie të mundshme mes kupolës së policisë dhe figurave të krimit të organizuar.
Me kandidimin për në krye të BKH-së, figura e Gledis Nanos rikthehet në një pikë kyçe të jetës institucionale në vend. Por, bashkë me këtë rikthim, ngrihen sërish pyetjet e pathëna: A është Nano një kandidat që mund të sjellë pavarësi dhe integritet në një strukturë të ndjeshme si BKH, apo ai mbart me vete peshën e dyshimeve të së shkuarës?
Nëse përzgjedhja e tij do të miratohet, a do të ketë reagime nga opinioni publik, shoqëria civile dhe ndoshta edhe partnerët ndërkombëtarë që mbikëqyrin nga afër reformën në drejtësi? Nuk duhet harruar formimi i tij, një pjesë e të cilit në SHBA.
E ardhmja e BKH-së, një institucion kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duket se po shkon drejt një udhëkryqi vendimtar. Dhe nëse Gledis Nano do ta kalojë këtë udhëkryq, mbetet për t’u parë nëse ai do të rikthehet si njeriu i duhur në kohën e duhur, apo në një moment që do të nxjerrë në pah hijet e pashuara të së shkuarës.
©️zërionline


