Pas afro gjashtë vitesh nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019, nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës vazhdojnë të zhvillojnë mësimin në kushte të vështira, në turnin e pasdites, në ambientet e shkollës pritëse “Marie Kaçulini”. Pa kushte, pa laboratorë. Kjo zgjidhje e përkohshme po zgjat më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë e procesit mësimor.
Ndërkohë, projekti i rindërtimit të shkollës ka hyrë në një fazë të re, pas zhvillimeve të rëndësishme që lidhen me kantierin e saj. Fillimisht, fondet që ishin dedikuar për ndërtimin e gjimnazit u rialokuan për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”. Ky vendim shtyu më tej procesin e ringritjes së “Gjergj Kastriotit”, duke shtuar pasigurinë për të ardhmen e shkollës dhe komunitetit arsimor të saj.
Megjithatë, autoritetet vendore dhe qendrore janë vënë në lëvizje për të gjetur fondin e ri, por ende ka kohë për këtë. Shtyrja në kohë u bë pas vendimit për të mos e zhvendosur shkollën diku tjetër, por për ta ndërtuar po aty ku ishte. Kjo vendimmarrje u ndikua drejtpërdrejt nga gjetjet e rëndësishme arkeologjike në zonën e kantierit, të cilat kanë rikthyer vëmendjen mbi trashëgiminë historike të Durrësit dhe kanë ndryshuar mënyrën se si shihet ky projekt.



Sipas kryeministrit Edi Rama, arkitekti i njohur spanjoll, Toni Gironès, i angazhuar në projektin e ripërpunuar të shkollës, është duke punuar mbi një ide vizionare: ndërthurjen e strukturës së re arsimore me zonën e kërkimit arkeologjik. Kjo qasje e re pritet të sjellë një shkollë moderne, që ruan dhe ekspozon historinë e lashtë të qytetit, një ndërthurje e rrallë mes dijes së të ardhmes dhe trashëgimisë së të kaluarës.
Lajmin e ka bërë publik sot kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi projektin si një transformim të denjë për vizionin “Durrësi 2030” dhe për faqet e revistave prestigjioze të arkitekturës bashkëkohore europiane.
“E RRALLË – Në Durrës, arkitekti i mirënjohur spanjoll Toni Gironès po punon për riprojektimin e shkollës së re “Gjergj Kastrioti” pas zbulimit të rrënojave antike në kantierin e ndërtimit. Ideja e tij e ndërthurjes së shkollës me zonën e kërkimit do t’i japë jetë një tjetër transformimi spektakolar”, – shkruan Rama në postimin e tij.
Megjithëse projekti është ende në fazë konceptuale dhe nuk ka një afat të qartë për nisjen e punimeve, pritshmëritë për ndërtimin e një objekti unik, që do të kombinojë funksionin arsimor me ekspozimin kulturor dhe arkeologjik, janë të larta.
Sipas Bashkisë Durrës, duhet të mbarojë projekti dhe më pas të vijohet me financimin e tij.
Për momentin, sfida më e madhe mbetet koha. Komuniteti i nxënësve dhe mësuesve të “Gjergj Kastriotit” vijon të jetë në pritje të rikthimit në shkollën e tyre, në ambientet e tyre, të cilat tashmë pritet të transformohen në një hapësirë që do të simbolizojë jo vetëm rindërtimin pas tërmetit, por edhe rilindjen kulturore dhe edukative të qytetit të Durrësit.
Sa duhet të presin ende?
©️zërionline


