Në një zhvillim të papritur, vetëm një ditë pasi raportoi në Këshillin Bashkiak për hartën e përgjithshme të ndarjes së plazheve si nënkryetar i Bashkisë së Durrësit, Renis Mullaj është emëruar në krye të Spitalit Rajonal të Durrësit. Karriera e tij ka njohur një rritje të shpejtë dhe të pazakontë për moshën e tij në Durrës.
Mullaj, i cili në vitin 2022 u zgjodh nënkryetar i bashkisë më të madhe në vend pas Tiranës vetëm 25 vjeç, ka qenë më herët jurist pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Me këtë emërim të fundit, ai bëhet një nga drejtuesit më të rinj të një institucioni të rëndësishëm shëndetësor që ofron shërbim spitalor për një rajon me shtrirje të gjerë dhe numër të lartë banorësh.
Në këtë post, ai zëvendëson Ani Dyrmishin, i cili dha dorëheqjen në prag të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, pasi u bë pjesë e listës së kandidatëve dhe u zgjodh si deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit.
Aktualisht, në moshën 28-vjeçare, Mullaj pritet të përballet me një sërë sfidash në menaxhimin e një prej spitaleve më të mëdha rajonale në vend, në një periudhë kur shërbimet shëndetësore janë nën vëmendje të lartë publike dhe institucionale. Emërimi i tij ka ngjallur reagime të ndryshme, për shkak të profilit të tij jo shëndetësor dhe moshës së re, por mbetet për t’u parë se si do të menaxhojë këtë përgjegjësi të re.
©️zërionline


