Policia e Kavajës ka intensifikuar kontrollet në vijën bregdetare të Golemit, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.
Gjatë inspektimeve të fundit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë konstatuan 70 komplete çadra dhe shezlongë të vendosura pa leje nga pushues të ndryshëm, të cilat u sekuestruan në vijim të zbatimit të planit operativ për garantimin e aksesit të lirë në hapësirat publike për të gjithë qytetarët.
Sipas autoriteteve, subjektet dhe individët që vendosin çadra dhe pajisje të tjera pa autorizim në bregdet, pengojnë përdorimin e lirë të vijës bregdetare nga pushuesit e tjerë. Policia thekson se do të vijojë me kontrolle të rregullta përgjatë gjithë vijës bregdetare, jo vetëm për të liruar hapësirat e zëna pa leje, por edhe për të verifikuar ligjshmërinë e aktiviteteve që ushtrohen nga subjektet private gjatë sezonit turistik.
Operacioni “Plazhi i lirë” është ndërmarrë nga Policia e Shtetit për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për të shfrytëzuar lirisht plazhet publike, si dhe për të parandaluar abuzimet që shpesh shoqërojnë sezonin veror.
©️zërionline


