Një histori frymëzuese vjen Skënder Cena, 74-vjeçari, i cili ka arritur të marrë diplomën e maturës, duke treguar se kurrë nuk është vonë për të ndjekur ëndrrat.
Pasi ka kaluar me sukses provimin e gjuhës së huaj në përpjekjen e tij të dytë, Skënderi është vlerësuar me notën 7 në anglisht, një rezultat që i tejkaloi edhe pritshmëritë e tij. Në ditën e provimit, ai kishte shprehur bindjen se do të merrte notën 6, por përkushtimi dhe këmbëngulja e tij u shpërblyen me më shumë.
Rruga drejt diplomës nuk ka qenë e lehtë. Një aksident në rini, në hidrocentralin e Fierzës, i preu rrugën shkollimit, pasi humbi pjesërisht shikimin. Shtuar edhe vështirësitë ekonomike, arsimimi mbeti një ëndërr e vonuar. Por në moshën 64-vjeçare, ai iu rikthye shkollës, duke ndjekur mësimet në shkollën profesionale në Kamëz.
Pavarësisht sfidave, përfshirë edhe dështimin e parë në provimin e anglishtes, Skënderi nuk hoqi dorë. “Të them të drejtën, mësuesit dhe sekretarja më kanë pritur shumë mirë. Nxënësit menduan se isha profesor”, – u shpreh ai me humor për Top Channel.
Përkrahja e familjes ka qenë një shtyllë kyçe në arritjen e tij, duke bërë që ëndrra për të përfunduar maturën të bëhet më në fund realitet.


