Edhe pse sezoni i plazhit ka nisur, qyteti i Durrësit është i mbushur me grupe turistësh që zgjedhin të eksplorojnë jo vetëm bregdetin, por edhe historinë, jetën urbane dhe përditshmërinë e qytetit. Në rrugët dhe rrugicat e lagjeve historike, pranë monumenteve arkeologjike apo në kafenetë lokale, turistët janë të pranishëm kudo.

“Kemi ardhur në grup nga Holanda për një tur në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Na pëlqen shumë dhe kafeja është shumë e mirë,” thotë një turiste me veshje të bardhë. Për shumë vizitorë, Shqipëria është ende një vend për t’u zbuluar, i panjohur më parë, por sot gjithnjë e më tërheqës.
Një tjetër turist nga i njëjti grup tregon: “Shqipëria është shumë interesante për ne. Dikur më dukej e paarritshme, por tani dua të di më shumë për historinë, politikën dhe natyrën. Zhvillimi që po shohim është vërtet mbresëlënës.”
Interesimi i turistëve nuk ndalet vetëm në atraksionet arkeologjike apo muzetë. Ata ecin nëpër qytet, bashkëbisedojnë me banorët dhe përpiqen të kuptojnë më shumë nga realiteti shqiptar.
“Jemi nga Gjermania, Berlini. Erdhëm sepse dëgjuam që njerëzit këtu janë të këndshëm dhe vendi ofron alternativa të ndryshme, si në plazh ashtu edhe në qytet. Dhe vërtet nuk u zhgënjyem,” thotë një çift turistësh.
“Na pëlqejnë njerëzit, plazhi dhe moti fantastik,” shton një tjetër.
Ndërsa një turiste daneze që po viziton për herë të parë Shqipërinë shprehet se po kalon një ditë të këndshme në Durrës, pasi është duke qëndruar në Tiranë dhe ka ardhur për një tur ditor: “Është një vend i bukur, po e shijojmë”.

Sipas administratorit turistik Edmond Basho, Durrësi vazhdon të jetë epiqendra e turizmit në Shqipëri, jo vetëm për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik, por edhe për kapacitetin më të madh të strukturave akomoduese.
“Durrësi ka kapacitetin më të madh të shtretërve nga të gjitha zonat turistike të vendit, ndjekur nga Shëngjini dhe Velipoja. Jugu ka më pak shtretër”, thekson Basho.
Por rritja e interesit nuk vjen vetëm nga turistët e huaj. Edhe shqiptarët, përfshirë vetë durrsakët, po tregojnë gjithnjë e më shumë preferencë për të kaluar pushimet brenda vendit. Megjithëse udhëtimet jashtë mbeten të preferuara, këtë sezon, agjencitë turistike vërejnë një ndryshim në prirje.
“Ka një trend të qartë drejt jugut të Shqipërisë, ku çdo vit e më shumë rritet numri i pushuesve shqiptarë”, thotë Basho.
Një Shqipëri gjithnjë e më mikpritëse po bëhet jo vetëm destinacion për turistët ndërkombëtarë, por edhe zgjedhje e parë për vetë qytetarët e saj.
©️zërionline


