I riu me shtetësi belge që mbeti i plagosur pas një aksidenti me mjet lundrues, mbrëmjen e së dielës është jashtë rrezikut për jetën, po ka pësuar dëmtime të rënda në trup e kokë, gjatë rënies nga Jet Ski.
Policia e Plazhit arrestoi në flagrancë shtetasin Skedilajd Xhametaj, 51 vjeç, banues në Tiranë, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sipas hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, rezulton se Xhametaj i kishte dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski turistit belg 21 vjeç, pa marrë masat e nevojshme të sigurisë, ndërkohë që ky i fundit nuk posedonte as leje drejtimi për përdorimin e mjetit. Pas aksidentit, Xhametaj ka dhënë informacione të rreme gjatë veprimeve procedurale, duke e rënduar pozitën e tij.
Menjëherë pas ngjarjes, deklarohet se ndërhyri pronari i subjektit që jepte mjete me qira, Skerdilajt Xhametaj, i cili me një tjetër Jet Ski shkoi në vendin e ngjarjes dhe i dha ndihmën e parë turistit të plagosur, duke e nxjerrë nga deti. Më pas, i riu u transportua fillimisht në spitalin rajonal të Durrësit dhe më tej në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Vetëm 2 javë më parë, në fillim të qershorit, një 34-vjeçar britanik humbi jetën në të njëjtën zonë, pasi u mbyt në det pas rrëzimit nga një jet ski. Në zonën e Shkëmbit të Kavajës operojnë tre subjekte që japin mjete lundruese argëtimi për pushuesit, dy prej tyre i kanë pronarët te arrestuar. Përsêritja e aksidenteve me mjetet e tyre është një apel për autoritetet që duhet të ushtrojnë kontrolle më të shpeshta ndaj këtyre subjekteve dhe të marrin masa për të mos lejuar më ngjarje me pasoja për jetën dhe sigurinë në plazhe gjatë këtij sezoni.
Ngjarjet ngrenë sërish shqetësimin për nivelin e sigurisë në përdorimin e mjeteve lundruese në zonat turistike bregdetare.
Policia e Durrësit po vijon hetimet për të zbardhur në detaje shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes, si dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore për incidentin.
©️zërionline


