Shkollat italiane heqin celularët nga bankat: Fundi i zileve dixhitale në orët e mësimit

Date:

Share post:


Në klasat italiane po fryjnë erëra të reja, ose më saktë, do të shuhen zilet e telefonave. Qeveria italiane, përmes një dekreti të ri që hyn në fuqi pas pushimeve verore, ka vendosur të ndalojë përdorimin e celularëve edhe në gjimnaze, një hap që shënon rikthimin te disiplinimi tradicional në shkolla.

Kjo masë, e shpallur nga ministri i Arsimit dhe Meritës, Giuseppe Valditara, nuk është thjesht një përpjekje për të “qetësuar” orët e mësimit, siç ai e përshkroi, por edhe një reflektim mbi pasojat e teknologjisë në mirëqenien dhe përqendrimin e të rinjve. “Shkolla nuk është vend për shpërqendrime dixhitale. Është vend për mendim, përqendrim dhe ndërtim të dijes”, deklaroi Valditara, përfaqësues i partisë së djathtë “Lega”.

Në fakt, ndalimi i celularëve në shkollat italiane ekziston prej vitesh, por në praktikë është zbutur dhe shpesh është injoruar. Nxënësit e rinj, nën moshën 15 vjeç, janë subjekt i një ndalese të pjesshme, por për maturantët kjo është hera e parë që kufizimi formalizohet përmes një akti zyrtar.

Përjashtime do të lejohen, veçanërisht për nxënësit me aftësi të kufizuara që mbështeten tek teknologjia për të ndjekur mësimet ose për të komunikuar. Megjithatë, në çdo rast tjetër, telefoni duhet të fiket para fillimit të mësimit dhe të qëndrojë larg syve e duarve deri në fund të mësimit.

Ky vendim vjen në një kohë kur debati mbi ndikimin e celularëve në shkolla është ndezur në të gjithë Evropën. Disa vende kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm, duke u përpjekur të kufizojnë përdorimin e telefonave gjatë mësimit për të përmirësuar përqendrimin dhe për të rikthyer ndërveprimin social mes nxënësve.

Madje, edhe vetë emri i Ministrisë së Arsimit italiane ka ndryshuar, që prej vitit 2022 quhet “Ministria e Arsimit dhe Meritës”, një lëvizje simbolike e qeverisë së krahut të djathtë të kryeministres Giorgia Meloni për të theksuar rëndësinë e arritjeve dhe përpjekjes në procesin arsimor.

Vendimi për të fikur telefonat mund të shihet si një përpjekje për të ndezur mendjet. Dhe ndërsa drita e ekranit fiket, drita e vëmendjes mund të ndizet, nëse brezi i ri është gati ta pranojë këtë ndryshim si një përmirësim, jo një privim.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Balluku e pandehur edhe për lotet e tjerë të Unazës së Madhe

Ish zv-kryeministrja Belinda Balluku rikthehet në dyert e SPAK më shumë se 9 muaj pasi u mor e...

Ilir Beqaj del nga burgu, kalon arrest shtëpie

Një nga dosjet më të bujshme të SPAK për abuzim me miliona euro fonde publike, nuk e mban...

Aksidentohet “Cekja” i Beratit, makina e tij përplaset me atë të klerikut bektashian

Një aksident rrugor ka ndodhur në aksin “Gjirokastër-Tepelenë”, në kthesën e fshatit Hormovë. Automjeti që drejtohej nga aktori Sejfulla...

Sherr me sende të forta në Tepelenë, plagosen 3 persona

Një sherr i dhunshëm me sende të forta mes disa personave ka ndodhur pas mesnate në qytetin e...