Agjencia Evropiane e Mjedisit ka publikuar raportin e saj të fundit për vitin 2024 mbi cilësinë e ujërave të larjes në vendet e Bashkimit Evropian, duke vlerësuar mbi 22,000 pika monitorimi në të gjithë kontinentin. Sipas të dhënave, më shumë se 85% e këtyre ujërave janë vlerësuar si me cilësi të shkëlqyer, ndërsa 96% përmbushin standardet minimale të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, rreth 1.5% e tyre rezultuan me cilësi të dobët, gjë që tregon se në disa zona, masat për mbrojtjen e mjedisit janë të pamjaftueshme ose nuk po zbatohen fare.

Raporti thekson gjithashtu se ujërat bregdetare vazhdojnë të kenë cilësi më të lartë se ato të brendshme, si lumenjtë apo liqenet. Në vitin 2024, rreth 89% e ujërave bregdetare u klasifikuan si “të shkëlqyera”, në krahasim me vetëm 78% të ujërave të brendshme.
Qipro në krye, Shqipëria në fund
Në renditjen e vendeve, Qipro kryeson me 99.2% të ujërave të saj të larjes të klasifikuara si me cilësi të shkëlqyer, ndjekur nga Bullgaria me 97.9% dhe Greqia me 97%.
Në kontrast të plotë, Shqipëria renditet e fundit në listë. Vetëm 16% e ujërave të saj të larjes përmbushin standardin e cilësisë së shkëlqyer, ndërsa:
- 49.6% janë me cilësi të mirë,
- 11.8% janë me cilësi “mjaftueshëm të mirë”,
- dhe 22.7% janë vlerësuar me cilësi të dobët.
Këto shifra e nxjerrin Shqipërinë si vendin me përqindjen më të ulët të ujërave të pastra për larje në kontinent, sipas këtij raporti.


Agjencia Evropiane e Mjedisit nënvizon se cilësia e ujërave të larjes në Evropë është përmirësuar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit, falë legjislacionit të BE-së dhe investimeve të mëdha në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura. Kjo ka bërë të mundur që në shumë zona urbane, ku larja më parë ishte e ndaluar për shkak të ndotjes, sot të jetë e sigurt dhe e lejuar.
Megjithatë, raporti paralajmëron se ndotja kimike, si ajo e pesticideve dhe metaleve të rënda, në ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore mbetet ende shqetësuese, dhe situata mund të përkeqësohet për shkak të ndryshimeve klimatike. Ndaj, rritja e qëndrueshmërisë ndaj ujit për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve mbetet një prioritet.
Një tjetër sfidë për cilësinë e ujit janë edhe lulëzimet toksike të cianobaktereve, të cilat nuk monitorohen aktualisht nga rregulloret e BE-së për ujërat e larjes, por që shpesh çojnë në ndalime të përkohshme të larjes dhe paralajmërime për pushuesit.
Ky raport vjen në një kohë kur turizmi bregdetar është në rritje dhe për shumë vende, përfshirë vendin tonë, mbetet jetik jo vetëm për imazhin ndërkombëtar, por edhe për ekonominë vendase. Përmirësimi i cilësisë së ujërave të larjes është më shumë se një çështje mjedisore, është një investim për të ardhmen.
©️zërionline


