Mbledhja jashtë radhe e Këshillit Bashkiak të Durrësit u zhvillua të hënën pasdreke mes debateve ndërmjet këshilltarëve të opozitës dhe shumicës. Debatet nisën që në hapje të seancës, kur opozita vuri në pikëpyetje mungesën e kryetares së bashkisë Emiriana Sako dhe kundërshtoi futjen pa paralajmërim të një pike shtesë në rendin e ditës.

Pika në fjalë kishte të bënte me ndryshimin e vlerës së shpronësimit për disa njësi tregtare pranë Amfiteatrit Antik, të prekura nga projekti i rijetëzimit të zonës arkeologjike, projekti TID. Sipas opozitës, projektvendimi u përfshi në rend dite në minutën e fundit, pa u dhënë kohë këshilltarëve të njiheshin me dokumentacionin përkatës dhe pa asnjë konsultim paraprak.
Këshilltari bashkiak i Partisë Demokratike, urbanisti Ardian Muka, deklaroi se ndonëse vetë opozita ka kërkuar rivlerësimin e shpronësimeve, mënyra si po veprohet tregon shkelje të procedurave.

“Nuk jemi dakord që një propozim kaq i rëndësishëm të vijë në momentin e fundit. Ne e kemi kërkuar këtë rivlerësim, por jo në këtë formë dhe jashtë çdo procedure normale”, u shpreh Muka.
Për opozitën, ky nuk ishte rasti i vetëm që tregonte qasje jotransparente nga ana e bashkisë. Në qendër të debateve u vendosën edhe fondet e mbetura të pashfrytëzuara nga buxheti i vitit të kaluar. Rreth 30% e buxhetit, sipas opozitës, nuk është përdorur për investime në shërbim të qytetarëve.
“Kanë mbetur rreth 1,4 miliard lekë të papërdorura, ndërkohë që qytetarët kanë nevojë për investime konkrete. Ky është një buxhet jo real, pa këmbë në tokë, që nuk i ka dhënë efekt qytetit”, deklaroi më tej ai.
Nga ana e saj, bashkia përmes nënkryetarit Gentian Kallmi dha shpjegime duke thënë se fondet janë pjesë e projekteve të kontraktuara dhe ndodhen në proces zbatimi.
“Këto fonde janë pjesë e projekteve që po zbatohen dhe do të përdoren sipas afateve të përcaktuara dhe do të mbyllin kontrata investimesh” u shpreh nënkryetari Kallmi.
Një tjetër pikë që ngjalli debat ishte ajo për ndarjen e një fondi prej 12 milionë lekësh për një qendër sociale në qytet, për periudhën 2025–2027. Edhe këtë herë, këshilltarët e opozitës ngritën dyshime për mungesë transparence në shpërndarjen e fondeve publike.
“Në mungesë të një analize të qartë dhe dokumentacionit të plotë, kjo pikë lë vend për aludime dhe për dyshime mbi përdorimin real të fondeve dhe si vendoset kush do të përfitojë prej tyre. Punonjësit që do të paguhen janë të bashkisë apo të një qendre sociale të përzgjedhur nga ju?” tha këshilltarja bashkiake e PD, mjekja Edlira Harizi, njëkohësisht kryetare e komisiont të çështjeve sociale dhe barazisë gjinore në këshill. Edhe Muka kërkoi një shpërndarje të fondit social me transparencë dhe garë të hapur.
Në përgjigje të këtyre kritikave, drejtoresha e Shërbimit Social në bashki, Meme Xhaferaj, sqaroi se struktura në fjalë më parë ishte mbështetur nga donatorë ndërkombëtarë si USAID përmes PNUD, por pas ndërprerjes së financimeve nga USAID, shpenzimet janë marrë përsipër nga vetë bashkia në mënyrë që të vijojnë sherbimet për qytetarët.
“Në janar u nënshkrua kontratë me Ministrinë për të mbështetur 7 punonjës të qendrës me paga, ndërsa pas tërheqjes së USAID, pjesa tjetër e stafit u vendos të financohet nga fondi social, akorduar bashkisë”, tha Xhaferaj.
Të gjitha projektvendimet e paraqitura në mbledhje u miratuan me shumicë votash, ndërsa e vetmja pikë që kaloi pa kundërshtime ishte ajo për fondin e ndihmës ekonomike për muajin qershor, në mbështetje të familjeve në nevojë.
©️zërionline


