Pas vetëm 18 muajsh nga debutimi i saj, ChatGPT ka filluar të lërë gjurmë në mënyrën se si komunikojmë. Sipas një analize të fundit nga Instituti Max Planck, i cili shqyrtoi mbi 280 mijë video nga kanale akademike në YouTube, Inteligjenca Artificiale ka filluar të ndikojë, ndoshta edhe në mënyrë të pavetëdijshme në shprehjet dhe zgjedhjen e fjalëve.
Studiuesit vunë re se disa terma, që përdoren shpesh nga ChatGPT, janë shtuar me mbi 50% në ligjërimin publik. Ndër këto fjalë, ajo që bie më shumë në sy është “thellim”, një fjalë e cila përdoret gjerësisht në fraza si “thellim njohurish” apo “thellim marrëdhëniesh”. Sipas ekspertëve, përdorimi i kësaj fjale në mënyrë të përsëritur mund të shërbejë madje si një sinjal i pranisë së përmbajtjes së gjeneruar nga IA.
Një tjetër analizë e kryer nga Universiteti i Stanfordit thekson se fjalori ynë po evoluon me shpejtësi, nën ndikimin e gjuhës virtuale të modeleve si ChatGPT.
“Njerëzit fillojnë ta përthithin këtë stil të të shprehurit dhe e riprodhojnë atë në bisedat e përditshme”, thuhet në raportin e tyre.
Ndërkohë, një studim paralel nga MIT Media Lab ngre alarmin për një tjetër fenomen shqetësues, përdorimin e tepruar të ChatGPT në tekstet akademike. Ese, detyra kursi, apo përmbledhje, gjithnjë e më shpesh, po shkruhen me ndihmën e IA-së. Por kjo lehtësi teknologjike vjen me kosto. Studiuesit paralajmërojnë se varësia ndaj IA-së mund të dëmtojë aftësinë e të menduarit kritik dhe të mësuarit, duke reduktuar aktivitetin natyror të trurit.
Në një kohë kur teknologjia po bëhet pjesë e pandashme e jetës sonë, ekspertët kërkojnë një qasje më të ndërgjegjshme ndaj përdorimit të saj. Inteligjenca Artificiale është një mjet i fuqishëm, por si çdo mjet tjetër, mënyra si e përdorim përcakton ndikimin që do të ketë tek ne.
©️zërionline


