Themeluesi i aplikacionit Telegram, miliarderi rus Pavel Durov, ka bërë publike detaje të testamentit të tij, duke habitur opinionin publik me vendimin për të lënë pasurinë e tij, e vlerësuar në 13.9 miliardë dollarë, mbi 100 fëmijëve të tij biologjikë.
Durov ka gjashtë fëmijë nga tri partnere të ndryshme, por në një deklaratë për BBC, ai shpjegoi se pjesa tjetër janë rezultat i dhurimit të spermës në klinika të specializuara në 12 shtete të ndryshme.
“Ata janë të gjithë fëmijët e mi, dhe do të kenë të njëjtat të drejta”, theksoi ai. “Nuk dua që të luftojnë me njëri-tjetrin për trashëgiminë.”
Megjithatë, pasuria nuk do të shpërndahet menjëherë. Sipas testamentit, fëmijët nuk do të kenë qasje në trashëgiminë e tyre për 30 vjet. Durov thotë se qëllimi është që ata të zhvillohen vetë si individë: “Dua të mësojnë të krijojnë, të ndërtojnë jetën e tyre pa u mbështetur tek një llogari bankare.”
Ai, 40 vjeç, shpjegon se po e harton testamentin për shkak të rreziqeve që sjell puna e tij. “Mbrojtja e lirive vjen me shumë armiq, përfshirë edhe brenda shteteve të fuqishme”- tha ai.
Nën hetim në Francë
Durov është aktualisht nën hetim nga autoritetet franceze, me akuza që lidhen me mosbashkëpunim ndaj ligjit dhe lejimin e përdorimit të Telegram nga grupe kriminale. Ai ka paguar një garanci prej 5 milionë eurosh për të shmangur arrestimin, por nuk lejohet të largohet nga territori francez dhe duhet të paraqitet dy herë në javë në polici.
Sipas prokurorisë së Parisit, Telegram është përdorur nga grupe kriminale për transaksione të paligjshme financiare dhe shpërndarje materialesh të ndaluara, përfshirë përmbajtje të abuzimit seksual me të mitur. Durov ka mohuar çdo përgjegjësi, duke theksuar se “fakti që kriminelët përdorin një platformë nuk e bën atë platformë kriminale”.
Telegram, që ka mbi një miliard përdorues aktivë, është kritikuar shpesh për mungesën e moderimit dhe për lejimin e përmbajtjeve ekstremiste, përfshirë teori konspirative, përmbajtje neonaziste dhe propagandë të huaj, veçanërisht nga Rusia.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Telegram është vënë nën vëzhgim për rolin që luajti në organizimin e trazirave të dhunshme gjatë verës së kaluar. Ekspertët e sigurisë kibernetike theksojnë se platforma ka standarde shumë më të ulëta të kontrollit krahasuar me gjigantët e tjerë të rrjeteve sociale.
©️zërionline


