Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi në mbledhjen e fundit dy vendime të rëndësishme për zhvillimin urban dhe energjinë e gjelbër në qytet, por diskutimet nuk kaluan pa debat mes shumicës dhe opozitës.
Një nga projektet kryesore është ai për zhvillimin e zonës multifunksionale përreth stadiumit “Niko Dovana”. Sipas vendimit të miratuar me shumicë votash, mbi 66 mijë metra katrorë truall në pronësi të Bashkisë do të kalojnë në funksion të këtij investimi, që synon t’i japë zonës një funksion të ri urban.
Por opozita ngriti dyshime mbi mënyrën e administrimit të këtij projekti.
“Ne si opozitë votojmë kundër dhe kërkojmë të shihet me kujdes kalimi i pronësisë mbi tokën në zonën rreth stadiumit”, u shpreh këshilltari i Partisë Demokratike, urbanisti Ardian Muka.
Në përgjigje të akuzave, këshilltarja socialiste, pedagoge e shkencave juridike në UAMD Joniada Musaraj theksoi seriozitetin e institucioneve të përfshira:
“Të pretendosh që Korporata e Investimeve Shqiptare dhe FSHZH nuk janë serioze, duhet të bazohet në prova”, tha ajo.

Përtej debatit për stadiumin, Këshilli Bashkiak miratoi pa asnjë kundërshtim nga opozita marrëveshjen për ndërtimin e një parku fotovoltaik në Spitallë, me kapacitet 100 megavat. Projekti do të realizohet në bashkëpunim me kompaninë “Spitalla Solar” sh.p.k., dhe synon të shfrytëzojë infrastrukturën ekzistuese të ujitjes dhe kullimit për prodhimin e energjisë së pastër.
Nga ana tjetër, zëri i banorëve të zonës së Durrësit të Ri, apo ish-Kënetës, u përfaqësua nga këshilltari i opozitës Sami Osmani, i cili kërkoi llogari për mungesën e shërbimeve bazë.
“Ka probleme me ujin e pijshëm në zonë, mosdhënie të dëmshpërblimeve për përmbytjet e janarit dhe infrastrukturën rrugore”, theksoi Osmani.
Zëvendëskryetari i Bashkisë, Gentian Kallmi, u përgjigj se akt-konstatimet dhe vlerësimet për dëmet janë përfunduar dhe pagesat do të bëhen me faza, për shkak të shumës së madhe që duhet likujduar. Ai shtoi se sipas të dhënave të UKD-së, nuk ka probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa u tregua i gatshëm të ndihmojë për ndonjë rast konkret.
Vendimet e miratuara tregojnë një orientim të ri për zhvillimin e qytetit, që synon të ndërthurë investimet urbane me teknologjinë dhe energjinë e rinovueshme. Megjithatë, ndërsa projektet madhore marrin dritën jeshile, qytetarët durrsakë vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje për problemet e përditshme që prekin cilësinë e jetesës në lagjet e tyre të banimit, duke nisur nga furnizimi me ujë të pijshëm, infrastruktura, shërbimet, apo dhe dëmshpërblimet për përmbytjet e 29 janarit, ndërsa sezoni i ardhshëm i shirave nuk është larg.
©️zërionline


