Në Durrës, kryeministri Edi Rama mblodhi krerët e bashkive nga e gjithë Shqipëria për t’u dhënë një mesazh të prerë: deri të hënën, të gjithë nënkryetarët e bashkive dhe drejtuesit e njësive administrative duhet të jenë shkarkuar. Një urdhër i qartë, por jo për të gjithë i padiskutueshëm.
Disa nga kryebashkiakët kanë rezervat e tyre. Ndjehen të cenuar dhe u treguan kokëfortë. Fisnik Qosja i Kavajës, me qetësinë e një vendimi të marrë që më parë, deklaroi pa ekuivok:
“Nuk do të shkarkoj nënkryetarët, vetëm sepse kështu e do Kryeministri. Nuk marr urdhra politikë.”

Po kaq i vendosur, edhe kryebashkiaku i Mirditës, Albert Melyshi, që më shumë sesa një vendimi politik, i beson performancës së stafit të tij.
“Bashkia Mirditë nuk komandohet me urdhra politikë”, – u shpreh ai, duke i dhënë një ton institucional dhe sfidues përgjigjes së tij.

Ndërsa në jug, Vangjel Tavo, pas takimit të Durrësit, dhe pse kryebashkiak i së majtës në Himarë kundërshtoi, por duke u treguar më diplomatik. Ai nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimeve, por i dha vetes kohë:
“Nënkryetarët janë të rinj në pozicionet e tyre. Do t’i testojmë për të parë nëse do të qëndrojnë.”

Një qëndrim që tingëllon si një sfidë e vërtetë përballë ultimatumit të kreut të ekzekutivit.
Kështu, ndërsa Rama kërkon ristrukturim nga lart-poshtë, disa kryebashkiakë preferojnë të mbeten titullarë të fortesave të tyre. Në fund të fundit, në politikën shqiptare, edhe urdhrat kanë kufij, sidomos kur kalojnë nëpër male, kodra dhe… Kavajë.
©️zërionline


