Në qershor, u nda nga jeta një nga figurat më të mëdha të artit bashkëkohor italian Arnaldo Pomodoro, mjeshtri i bronzit dhe “poeti i gjeometrisë”. I lindur në Romagna, ai u zhvendos në Milano në vitin 1954, qytet që do të bëhej vendlindja e dytë dhe skena kryesore e veprimtarisë së tij krijuese.

Pomodoro la pas një trashëgimi të pasur artistike, me vepra të ekspozuara në të gjithë botën, por është pikërisht Milano që ruan njërën nga krijimet më të jashtëzakonshme dhe më pak të njohura për publikun, labirinti i ndërtuar nëntokë, një “bunker artistik” i fshehur nën selinë e Fendit në Via Solari 35.
Ky labirint prej 170 metrash katrorë, me lartësi deri në 3.8 metra, është një përmbledhje fizike dhe shpirtërore e gjithë veprës së Pomodoros. I ndërtuar me bronz, bakër dhe fibra qelqi të patinuar, ai është rezultat i një pune të detajuar me daltë që zgjati më shumë se 10 vjet. Hyrja në këtë hapësirë të jashtëzakonshme bëhet përmes një muri rrotullues që të përgatit për një përvojë vizuale dhe emocionale që ngjason me një skenë të “Indiana Jones”.
Frymëzimi për këtë vepër monumentale vjen nga Epi i Gilgameshit, një nga poemat më të vjetra të njerëzimit. Muret e labirintit janë të gdhendura me simbole arkaike, shenja misterioze dhe shkrime të lashta që evokojnë qytetërime të zhdukura, duke krijuar një atmosferë të mbushur me mit, kujtesë dhe enigmë.

Në thelb, kjo hapësirë është një metaforë vizuale e filozofisë së Pomodoros, forma perfekte që fsheh brenda kompleksitetin, fragmentimin dhe misterin, ashtu si sferat e tij të famshme, të lëmuara nga jashtë, por të çara dhe të mbushura me mekanizma të fshehur brenda.
Labirinti përfundon në një dhomë të veçantë dhe evokuese, që përfaqëson varrin simbolik të Cagliostro-s, një figurë enigmatike e historisë, një mistik dhe aventurier, duke shtuar edhe më shumë nuanca ezoterike në këtë përvojë të rrallë artistike.
Milano ruan të fshehur një thesar unik nën tokë, ku skulptura, arkitektura, filozofia dhe historia bashkohen në një udhëtim përmes materialit dhe shpirtit. Ky është labirinti i Arnaldo Pomodoros, ndoshta bunkeri më i bukur sekret që ka ekzistuar ndonjëherë, një vepër arti që nuk shikohet, por përjetohet.







