Një histori që në fillim ngjante me një rrëmbim të vërtetë, por që shumë shpejt u shndërrua në një rast të pastër mashtrimi. Një i ri nga Kavaja inskenoi rrëmbimin e tij për t’i marrë babait një shumë modeste prej 200 eurosh. Plani i ngritur bashkë me një bashkëpunëtor u zbardh brenda pak orësh nga Policia, e cila i vuri të dy në pranga.
28-vjeçari Lubjan Camema, banues në Kavajë, i dërgoi një mesazh babait, duke pretenduar se ishte rrëmbyer dhe se rrëmbyesit kërkonin 200 euro për ta lënë të lirë. Në lojë përfshiu edhe mikun e tij, Bernard Kiptiu, 45 vjeç nga Durrësi, i cili u paraqit në lagjen nr. 16 të qytetit bregdetar për të marrë shumën e parave.
Por babai i të riut, i shqetësuar, njoftoi menjëherë Policinë, e cila organizoi një ndërhyrje të menjëhershme. Bernard Kiptiu u kap në flagrancë teksa kërkonte paratë, ndërsa vetëm 100 metra më tej, në afërsi të stacionit të trenit, efektivët gjetën edhe vetë “të rrëmbyerin”, i cili priste të mbyllte mashtrimin.
Nga hetimet rezulton se Lubjan Camema është përdorues i lëndëve narkotike dhe më parë kishte marrë edhe automjetin e të atit, i cili dyshohet se është shitur.
Tashmë të dy ndodhen në pranga dhe përballen me akuzën e “Mashtrimit”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Një histori e trishtë që zbulon jo vetëm një përpjekje të dëshpëruar për para, por edhe një marrëdhënie të thyer mes babait dhe të birit.
©️zërionline


