Një konflikt në Gjermani për çështje të trafikut të narkotikëve dyshohet të jetë motivi i vrasjes se 23-vjeçarit, Renis Dobra, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut, ndërsa trupi i pajetë u gjet në liqenin e Shkopetit disa orë pas krimit.
Drejtuesit vendorë të Policisë së Dibrës kanë dhënë detaje lidhur me ngjarjen, arrestimin e dy prej autorëve dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve. Drejtori i Policisë së Dibrës tha se 23-vjeçari Dobra ka qenë i dënuar në Gjermani për çështje droge, ndërsa shtoi se ai është mbytur me lak dhe më pas është hedhur në liqen.
Sipas deklaratës zyrtare, për zbulimin e krimit janë përdorur metodat speciale të hetimit.
“Autorët e kanë hedhur automjetin, bashkë me trupin e viktimës në liqen, por trupi ka dalë”, thanë zyrtarët e Policisë.
Lidhur me autorët e dyshuar, drejtuesit vendorë të Policisë së Dibrës thanë se ata janë vëllezërit Bushgjokaj, dhe Petrit Çakri, 55 vjeç.
Një prej vëllezërve Bushgjokaj, Fatjoni, është arrestuar nga policia në zonën e Astirit në Tiranë, ndërsa dy të tjerët Kristi dhe Aleksandri janë shpallur në kërkim. Gjithashtu në pranga është vendosur edhe Petrit Çakri.
Lidhur me dyshimet se autorët kishin përdorur uniforma policie për të marrë peng 23-vjeccarin, drejtuesit e policisë së Dibrës e rrëzuan si opsion.
“4 personat nuk ishin veshur me uniformë policie dhe nuk kanë përdorur shenja që lidhen me policinë. Gjatë operacionit u shoqëruan katër persona, ndërsa vijon puna për kapjen e personave të tjerë të lidhur me ngjarje. U sekuestruan 20 celularë 7 automjete, drogë dhe prova të tjera që do t’i shpërbejnë hetimit”, u tha në konferencën për mediat.


