Pas një hetimi disamujor nga Policia Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, është finalizuar operacioni policor i koduar “Parking”, që ka çuar në ekzekutimin e disa masave sigurie ndaj funksionarëve publikë në këtë bashki.
Në kuadër të këtij procedimi penal të vitit 2025, janë ekzekutuar masat e mëposhtme:
- “Arrest në shtëpi” për Adela Hysenaj, 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës si dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier. Ajo akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
- “Arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” për Vasil Cekun, 41 vjeç, banues në Fier, aktualisht Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier. Ai akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”.
- “Pezullim nga detyra” për Anisa Cjapin, 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
- “Pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për Martin Dodin, 57 vjeç, banues në Fier, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Hetimet tregojnë se këta zyrtarë kanë vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor që rregullon fiskalizimin e të ardhurave nga parkimi nëntokësor që administrohet nga Bashkia Fier, duke mos vendosur kasën fiskale për shërbimin përkatës. Si pasojë, në arkën e bashkisë nuk është depozituar një shumë prej rreth 40 milionë lekësh.
Për më tepër, të njëjtët shtetas dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme përmes uljes së taksave për subjekte të ndryshme tregtare në qytetin e Fierit, duke shpërdoruar funksionin publik që mbanin.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për vijimin e procedurave të mëtejshme hetimore.


