Klubi i librit “Gjergj Vlashi”, i drejtuar nga Teuta Dhima, e mbylli sezonin me një takim të veçantë në verandën e “Charli Max Marina”. Ambientet mikpritëse të tij u shndërruan në një oaz të bukur shoqëror, mbrëmjen e kaluar, për të gjithë të pranishmit.

Në qendër të këtij takimi të fundit ishin tregimet e librit me dy vëllime “Bonsai me tregime” nga Nderi i Kombit Gjergj Vlashi, emrin e të cilit mban Klubi. Anëtarët ndanë mendimet e tyre për formën lakonike dhe përmbajtjen e thellë të tregimeve, për simbolikën e mbështjellë në një strukturë të menduar me kujdes, si një bonsai i lulëzuar me delikatesë. Tregimet u përjetuan si degë të së njëjtës pemë emocionale, që ndërthuren mes kujtesës, ndarjes, mungesës dhe të pathënave.
Rrjedha e rrëfimit i çoi të pranishmit në një udhëtim të heshtur emocional, ku çdo tregim i mëpasshëm ndriçonte të mëparshmin, duke dëshmuar mjeshtërinë narrative të autorit dhe përmes temave në dukje të thjeshta, si dhe ndikimin që një fjalë e thënë me kujdes mund të ketë në një botë të tërë leximi.
Mbrëmjen e bëri akoma më të veçantë prania e violinistit të mirënjohur Florian Vlashi, bashkëshortes së tij, violonçelistes Rediana Llukaçi Vlashi dhe djalit të tyre Martin Vlashi.

Florian Vlashi, i mësuar me skenat ndërkombëtare, ndau emocionin e tij për të qenë mes anëtarëve të klubit që mban emrin e të atit, Gjergj Vlashi, një figurë e shquar e artit shqiptar.
Atmosfera intime u pasurua edhe më tej me praninë e miqve të artit dhe kulturës që jetojnë jashtë Shqipërisë, por që këtë herë pushimet i sollën pranë një klubi që i përket shpirtit, mendimit dhe shoqërisë së mirë.
Diskutimet shkuan përtej librit. U fol për të ardhmen e Klubit, projektet që presin realizim, mënyrat për të rritur pjesëmarrjen dhe për të përfshirë të rinjtë në një dialog me letërsinë. U shpërndanë shenjuese simbolike me mesazhe frymëzuese si:
“Një klub. Një libër. Shumë zëra. Një përvojë.”
dhe “Një faqe e lexuar, është një hap drejt vetes.”
Mirënjohje e veçantë iu shpreh Bled Shuaipit për mikpritjen në ambientet magjepsëse të “Charli Max Marina”, ku çdo gotë që trokiste mes miqve tingëllonte si një simfoni lirie.
Takimi u dokumentua nga mjeshtri i fotografisë Gëzim Domi, ndërsa falënderime të ngrohta shkuan edhe për librarinë “Redon”, që gjatë vitit hapi dyert për Klubin dhe diskutimet e tij.

Me përzemërsi, Klubi i librit “Gjergj Vlashi” uroi pushime të mbara për të gjithë anëtarët dhe lexuesit.
Ky sezon u mbyll me urimin “Mirupafshim në shtator!”, si dhe një kujtesë për të marrë një libër gjatë pushimeve në çantë, sepse çdo faqe e tij është një dritare e re drejt vetes.
©️zërionline


