Përdorimi i imazhit të dikujt tjetër pa pëlqimin e tij, për të hapur profile të rreme në rrjetet sociale, faqe kontakti apo çdo mjet tjetër komunikimi publik, do të cilësohet si vepër penale dhe do të dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vite.

Këtë e parashikon drafti i ri i Kodit Penal, në nenin 842, që trajton për herë të parë “Përdorimin e paligjshëm të imazhit”.
Sipas këtij neni:
-Kushdo që keqpërdor imazhin e një personi për qëllime njoftimi apo krijimi të profileve të rreme, pa pëlqimin e mbajtësit të imazhit, dhe i shkakton atij ndjesi ngacmimi, përndjekjeje apo poshtërimi, do të përballet me ndëshkim penal.
-Ndjekja penale në këto raste nuk është automatike, por fillon vetëm me ankimin e viktimës ose përfaqësuesit të saj ligjor, dhe pushon nëse pala e dëmtuar heq dorë nga kërkesa.
Ky ndryshim është pjesë e përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe dinjitetit të individit në hapësirën virtuale, ku abuzimet me identitetin dhe imazhin janë bërë gjithnjë e më të zakonshme.
©️zërionline


