Trump nënshkruan urdhër për të lehtësuar largimin e të pastrehëve nga rrugët, Nuk pritet mirë

Date:

Share post:

Uashington – Presidenti Trump nënshkroi të enjten një urdhër ekzekutiv që e bën më të lehtë për qytetet dhe shtetet largimin e të pastrehëve nga rrugët dhe ofrimin e trajtimit për ta në vende të tjera.

Sipas një flete informuese të Shtëpisë së Bardhë, urdhri i presidentit i kërkon Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi të “përmbysë precedentët gjyqësorë dhe të përfundojë marrëveshjet me gjykatat që kufizojnë aftësinë e qeverive vendore dhe shtetërore për të dërguar për trajtim personat në rrugë që paraqesin rrezik për veten apo të tjerët.” Po ashtu, urdhri angazhon financime federale për zhvendosjen e personave në rrugë, të cilët “po shkaktojnë çrregullim publik dhe vuajnë nga sëmundje të rënda mendore ose varësi”, drejt “qendrave të trajtimit, programeve të trajtimit të asistuar në komunitet, apo institucioneve të tjera.”

“Sistemimi i individëve të pastrehë në ambiente institucionale afatgjata për trajtim njerëzor, përmes përdorimit të përshtatshëm të detyrimit civil, do të rikthejë rendin publik”, thuhet në tekstin e urdhrit. “Dorëzimi i qyteteve dhe qytetarëve tanë ndaj parregullsise dhe frikës nuk është i dhembshur as për të pastrehët, as për qytetarët e tjerë. Administrata ime do të ndjekë një qasje të re, të përqendruar në mbrojtjen e sigurisë publike.”

Gjithashtu, urdhri i presidentit i kërkon Bondi-t të punojë me Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Departamentin e Strehimit dhe Zhvillimit Urban si dhe Departamentin e Transportit për të prioritetizuar grantet federale për shtetet dhe qytetet që “zbatojnë ndalimet ndaj përdorimit të paligjshëm të drogës në publik, kampimit urban dhe qëndrimit të pashkak në vende publike,” sipas Shtëpisë së Bardhë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi:

“Presidenti Trump po përmbush zotimin e tij për ta bërë Amerikën sërish të sigurt dhe për t’i dhënë fund fenomenit të të pastrehëve në gjithë vendin. Duke larguar kriminelët endacakë nga rrugët tona dhe duke ridrejtuar burimet drejt programeve të trajtimit të varësisë, administrata Trump do të sigurojë që amerikanët të ndihen të sigurt në komunitetet e tyre dhe që individët që vuajnë nga varësia apo problemet mendore të marrin ndihmën që u nevojitet.”

Në mars, zoti Trump i bëri thirrje kryebashkiakes së Uashingtonit, D.C., Muriel Bowser, që të “pastrojë të gjitha kampet e të pastrehëve që duken keq në qytet, veçanërisht ato pranë Departamentit të Shtetit dhe afër Shtëpisë së Bardhë.” Ai shtoi se nëse ajo “nuk është e aftë ta bëjë këtë, do të detyrohemi ta bëjmë ne për të!”
Po në të njëjtin muaj, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që i kërkon Shërbimit të Parqeve Kombëtare të pastrojë të gjitha kampet e të pastrehëve në tokat federale.

Gjithashtu, ai firmosi një urdhër tjetër për të shkërmoqur Këshillin Ndërinstitucional për të Pastrehët në SHBA, një strukturë e krijuar për të koordinuar politikat federale në lidhje me këtë çështje.

Presidenti kishte premtuar gjatë fushatës elektorale se do të largojë të pastrehët nga rrugët e vendit.

“Kur të rikthehem në Shtëpinë e Bardhë, do të përdor çdo mjet, autoritet dhe levë për të hequr të pastrehët nga rrugët tona”, pati deklaruar Trump në një video të fushatës pranverën e vitit 2023.

Qendra Kombëtare për të Drejtën e të Pastrehëve (National Homelessness Law Center) kritikoi ashpër urdhrin e presidentit, duke deklaruar se “ky urdhër nuk bën asgjë për të ulur koston e strehimit apo për të ndihmuar njerëzit të përballojnë jetesën.”

“Trajtimi i detyruar është joetik, joefektiv dhe i paligjshëm. Njerëzit kanë nevojë për strehim të qëndrueshëm dhe qasje në kujdes shëndetësor” – tha zëdhënësi Jesse Rabinowitz. “Në vend të kësaj, veprimet e Trump do të detyrojnë edhe më shumë njerëz të përfundojnë të pastrehë, do të largojnë fondet publike nga ata që kanë nevojë dhe do ta bëjnë më të vështirë për komunitetet lokale të zgjidhin problemin e të pastrehëve.”

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Zjarri në Selenicë, flakët shkrumbojnë dhjetëra makina në një pikë grumbullimi automjetesh

Një zjarr i rënë rreth mesditës së së mërkurës në fshatin Penkovë, pjesë e Bashkisë së Selenicës, përfshiu...

Zjarri në Mallakastër/ Flakët rrezikojnë masivin pyjor të Lofkëndit! Avioni ‘Air Tractor’ bën testin e parë

Në operacion është angazhuar një avion zjarrfikës "Air Tractor" nga Spanja. Avionin e ka sjellë kompania me të...

Zgjerimi i mbikalimit të Rinasit, bllokohet autostrada Tiranë-Durrës; datat dhe oraret

ARRSH ka bërë të ditur se nga ora 00:00 deri në 04:30 do të kryhet vendosja e trarëve...

Rusia sulmon Kievin me raketa balistike, humbin jetën 14 persona; 22 të plagosur

Pas sulmit, Ukraina u bëri sërish thirrje aleatëve perëndimorë të furnizojnë vendin me më shumë sisteme amerikane të...