Tragjedia e Elton Banit, 41-vjeçarit nga Vlora, i cili humbi jetën në komunën Sant’Olcese, Genova, pas përdorimit të armës elektrike “taser” nga karabinierët, po shkakton reagime të forta dhe polemika në Itali.
Ngjarja ndodhi më 17 gusht, kur fqinjët njoftuan për sjellje të dhunshme të Banit në oborrin e shtëpisë. Ai, i njohur në komunitet si murator dhe punëtor krahu, po kalonte një gjendje të rënduar. Pas ndërhyrjes së dështuar të shërbimit të emergjencës, në vend mbërritën karabinierët. Pas përplasjes, oficerët përdorën taserin ndaj tij, raportohet tri herë radhazi, që rezultoi fatale.
Gazeta italiane “La Repubblica” raportoi se Bani ndërroi jetë “i goditur me armë taser nga policia për mosbindje”, ndërsa theksoi se ky është një tjetër rast që vë në pikëpyetje përdorimin e këtyre pajisjeve nga forcat e rendit.


Një nga dëshmitarët e ngjarjes, Thione Diongue, fqinj dhe mik i viktimës, ka reaguar me indinjatë:
“Përse e vranë? Nuk nxori armë, as thikë… Nuk vritet kështu njeriu si një kafshë. Është e rëndë, unë jam dëshmitar i asaj që ndodhi!”
Ndërkohë, prokuroria e Genovas ka proceduar dy karabinierët që përdorën taserin si të dyshuar për vrasje të paqëllimshme, në mënyrë që ata të përfshihen në procesin hetimor. Autopsia do të përcaktojë shkakun përfundimtar të vdekjes, por shenjat e shumta në trup tregojnë një përdorim të ashpër force.
Familja e Banit, e përfaqësuar nga avokati Cristiano Mancuso, ka kërkuar drejtësi dhe ka ngritur dyshime serioze mbi nevojën e përdorimit të elektroshokut kundër një personi të vetëm, i cili ishte në gjendje të dukshme krize psikologjike.
Rasti ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatin mbi armët taser, vetëm pak orë pas një episodi tjetër të ngjashëm në Olbia, të shtunën. Organizatat për të drejtat e njeriut kërkojnë rishikim të menjëhershëm të protokolleve të përdorimit, duke i konsideruar ato mjete të rrezikshme që shpesh shkaktojnë pasoja fatale.
Nga ana tjetër, pritet me vëmendje qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj kësaj ngjarjeje të rëndë. Opinioni publik shprehet skeptik nëse institucionet shqiptare do të reagojnë apo protestojnë zyrtarisht ndaj autoriteteve italiane për vdekjen e një qytetari shqiptar në rrethana kaq të dyshimta.
©️zërionline


