Një ngjarje tragjike ka goditur komunitetin shqiptar dhe atë belg në Anderlecht të Brukselit. Ndue Zef Melyshi, 61-vjeç, humbi jetën pas të shtënave me armë zjarri, dy ditë më parë, në lagjen Itterbeek. Autor i dyshuar i krimit është qiramarresi i tij, me të cilin, sipas burimeve, kishte pasur një konflikt.
Melyshi ishte pronar i kafenesë lokale “Maison Haute”, një vend i njohur e i frekuentuar nga banorët e zonës. Vrasja e tij ka lënë një boshllëk të madh, jo vetëm te të afërmit, por edhe te komuniteti ku ai jetonte e punonte prej vitesh.
Një prej miqve të tij shprehet se:
“Ndueja sapo kishte ardhur nga pushimet. Shpresoj që krimineli që bëri këtë gjë të paguajë për veprat e tij. Ishte një njeri i mrekullueshëm, i mirë, me zemër të madhe, gjithmonë i gatshëm të ndihmonte. Sa herë që kërkonim ndihmë, ai pranonte gjithmonë.”
Ngushëllimet për humbjen e rëndë kanë ardhur edhe nga familjarët në Shqipëri. Kryetari i bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, njëkohësisht kushëriri i viktimës, ka shprehur dhimbjen e thellë përmes një mesazhi publik:
“Lamtumirë kushëri e vëlla, Ndue Zef Melyshi! Vdekja jote e ka pikëlluar familjen tonë të madhe.”
Sipas njoftimit familjar, varrimi i Ndue Melyshit do të zhvillohet ditën e shtunë, më 23 gusht, në Bruksel, ndërsa pritja do të bëhet në adresën Bloemenlaan 3, Dilbeek, Bruksel.
Krimi që i mori jetën 61-vjeçarit ka hapur plagë të thella në komunitetin shqiptar në Belgjikë, ndërsa të afërmit dhe miqtë e përshkruajnë si një njeri të dashur e të respektuar, që do të kujtohet për gjithmonë.
©️zërionline


