Një pasdite e zakonshme pranë bregdetit të Hamallajt është tronditur nga të shtënat me armë zjarri, pas një konflikti për vendparkimin në oborrin e një lokali. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:40 dhe krijoi panik tek pushuesit që ndodheshin aty pranë.
Sipas policisë, i dyshuari Altin Lekgegaj, 44 vjeç, pas një debati për vendparkimin, ka qëlluar me pistoletë ndaj 28-vjeçarit Liridon Rata. Ky i fundit ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.
Shërbimet e Policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje, identifikuan autorin dhe e shpallën atë në kërkim. Aktualisht, kontrollet vijojnë në zonë dhe në ambiente të ndryshme ku dyshohet se mund të jetë fshehur 44-vjeçari.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, që prishi qetësinë e një pasditeje buzë detit në Hamallaj.
©️zërionline


