Një konflikt i vjetër mes dy familjeve në fshatin Kryekuq të Divjakës ka përfunduar tragjikisht me humbjen e jetës së një 32-vjeçari. Viktima, Besmir Kumria, u godit për vdekje me thikë gjatë mesnatës nga bashkëfshatari i tij, Xhesion Toromeni, 25 vjeç.
Ngjarja ndodhi në një lokal të fshatit, ku Kumria ndodhej në shoqërinë e miqve. Pas sulmit, autori u largua, por falë ndjekjes intensive të forcave operacionale të DVP Fier, ai u arrestua pas disa orësh. Toromeni do të përballet me akuzat për “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.
Një konflikt i trashëguar
Sipas hetimeve paraprake, krimi nuk ishte pasojë e një grindjeje të çastit. Prej kohësh, familjet Kumria dhe Toromeni kishin përplasje të vazhdueshme lidhur me përdorimin e një kanali vaditës. Ky konflikt, i trashëguar dhe i përsëritur, ishte kthyer në burim tensioni që, sipas banorëve të zonës, shpeshherë shoqërohej me sherre dhe debate të ashpra.
“Dihej që mes tyre kishte probleme për ujin. Në fshat e dinin, por askush nuk e mendoi që do të shkohej deri në këtë pikë”, – shprehen banorë të zonës, të tronditur nga ngjarja.
Konflikte të tilla nuk janë të rralla në zonat e Myzeqesë, ku ndarja e tokës dhe kanaleve vaditëse pas viteve ’90 shpesh ka sjellë përplasje mes familjeve. Mungesa e menaxhimit të qartë të burimeve ujore dhe tokës bujqësore, si dhe mungesa e ndërmjetësimit institucional, shpesh kthehen në shkas për konflikte të zgjatura, që në raste të caktuara degjenerojnë në tragjedi.
Një grup hetimor është ngritur dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj. Ndërkohë, Kryekuqi dhe banorët e tij mbeten të tronditur nga humbja e një jete për një çështje që, sipas tyre, mund të ishte zgjidhur me dialog.
©️zërionline


