Një video e postuar në rrjetet sociale ka ngritur reagime të forta në Pogradec, pasi një automjet policie është filmuar duke lëvizur në sens të kundërt, duke rrezikuar qarkullimin normal në qytet.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka reaguar pas publikimit të saj.

Në njoftim zyrtar, policia bën me dije se drejtuesi i mjetit, shtetasi Th. K., punonjës i DVP Korçë, është identifikuar dhe ndëshkuar për shkeljen e kryer. Në bazë të nenit 7, pika 12 të Kodit Rrugor, ndaj tij janë marrë këto masa: gjobë administrative prej 10 000 lekësh, pezullim i lejes së drejtimit për 3 muaj dhe zbritja e 6 pikëve nga patenta.

Policia e Korçës u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor në numrin 112, duke garantuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe në përputhje me ligjin.
Rasti i Pogradecit është një sinjal i qartë se përgjegjësia në rrugë nuk kursen as uniformat blu, ndërsa qytetarëve u mbetet detyra të jenë sy hapur dhe të kontribuojnë për më shumë siguri në qarkullim.
©️zërionline


