Muret e kalasë shekullore të Ishmit u ndriçuan mbrëmjen e kaluar nga këngët, vallet dhe stendat me produkte tradicionale. “Festa e Ishmit”, e organizuar nga Bashkia e Durrësit, mblodhi qindra banorë, emigrantë dhe vizitorë, duke e kthyer kalanë në një skenë të historisë dhe kulturës së krahinës.

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, vuri në dukje se Ishmi, i njohur si vendlindja e piktorit Ibrahim Kodra, nuk ofron vetëm bregdetin e famshëm, por edhe atraksione historike si kalaja, që po kthehet gjithnjë e më shumë në destinacione turistike për vizitorë vendas e të huaj.

Atmosfera festive u pasurua nga programi artistik me këngë, recitime e valle popullore, si edhe nga ekspozimi i artizanatit dhe prodhimeve të zonës.

Ndër ta ishte edhe Besim Kërtusha, përfaqësues i kantinës Duka i cili, veç verërave të kuqe e së bardhës, prezantoi rakinë tradicionale të Ishmit.
“Rakia e gjyshit prodhohet nga tre varietete rrushi të krahinës sonë. Ky është prodhim autokton vendas. Madje gjyshi ka prodhuar raki, përpara se të bënte verë,” tha ai.
Një tjetër shembull i lidhjes së banorëve me traditën është edhe sipërmarrësi Sokol Proja, ish-emigrant, i cili sot drejton ndër të tjera dhe një fermë prej 27 hektarësh me bimë medicinale në Ishëm. “Eksportojmë në vende të ndryshme të Evropës dhe punojmë me një grup fermerësh për kultivimin e rigonit, rozmarinës, kalendulës e bimëve të tjera që po i testojmë për tregjet europiane” u shpreh ai.

Banorët e zonës shprehen krenarë që festa u jep gjallëri vlerave të krahinës dhe i kthen ato në atraksion turistik. Për ta, jo vetëm Gjiri i Lalzit, por edhe Kalaja e Ishmit mbeten pika të rëndësishme që dëshmojnë se kjo trevë është e gatshme të mirëpresë vizitorë e të përcjellë traditën brez pas brezi.