Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë sot një sasi të konsiderueshme traversash druri të përdorura për linjën hekurudhore Fier-Vlorë, duke shkaktuar një re të dendur tymi të zi që ka mbuluar qytetin e Fierit dhe zonat përreth.
Traversat e vjetra, të lyer me vajra për mbrojtje, gjatë djegies prodhojnë gazra toksikë dhe tym të rëndë, që ka alarmuar banorët për pasojat mjedisore dhe shëndetësore. “Është e pamundur të qëndrosh jashtë, tymi të merr frymën”, u shpreh një qytetar, ndërsa të tjerë raportojnë vështirësi në qarkullim për shkak të dukshmërisë së kufizuar.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë përcaktuar, por burime paraprake nuk përjashtojnë zjarrvënien e qëllimshme. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë nëse janë marrë masat e nevojshme për ruajtjen e traversave të grumbulluara prej kohësh në këtë segment.
Në vendngjarje po punojnë dy mjete zjarrfikëse dhe ekipet e repartit të Fierit, të cilat prej disa orësh përpiqen të vendosin nën kontroll flakët dhe të ndalojnë përhapjen e tyre përgjatë linjës hekurudhore. Sipas zjarrfikësve, ndërhyrja është e vështirë për shkak të materialit që digjet ngadalë dhe lëshon tym të fortë edhe pasi flakët shuhen.
Djegia e traversave me përmbajtje vaji rrezikon ndotjen e ajrit dhe tokës, duke sjellë pasoja afatshkurtra për shëndetin e banorëve dhe ndotje të qëndrueshme për zonën përreth.
©️zërionline


