Këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku, e cila prej vitesh jeton larg Shqipërisë, ka ndarë një status të ndjerë me rastin e ditëlindjes së saj të 59-të, më 1 shtator. Në një mesazh prekës, ajo ka risjellë në vëmendje dramën e jetës së saj si nënë, e cila duket se vazhdon edhe sot.
Simaku rrëfen me dhimbje mallin për djalin e saj Luke, i cili jeton larg saj. Në fjalët e saj, ndjehet boshllëku i mungesës së një përqafimi në ditë të shënuara si kjo:
“Çdo nënë, kur zgjohet në mëngjesin e ditëlindjes së saj, ëndërron që fëmija ta përqafojë dhe t’i thotë: ‘Gëzuar ditëlindjen, nëna ime!’ Sa shumë do të doja ta dëgjoja këtë nga ty… Por e di që ti as nuk e di kur është ditëlindja ime, dhe kjo më dhemb thellë.”
Megjithatë, këngëtarja shpreh një dashuri të pakushtëzuar dhe të pandryshuar ndaj të birit, duke treguar se lidhja e saj me të mbetet e pathyeshme:
“Zemra ime rreh gjithmonë me ty – ashtu si atëherë kur ishe në barkun tim, edhe sot, në çdo frymë të jetës sime. Edhe pse jemi larg, ti je gjithmonë pjesë e imja, drita dhe shpresa ime. Të dua pafund, Luke!”
Ky status, i shoqëruar me tone të forta emocionale, prek jo vetëm ndjekësit e saj besnikë, por edhe publikun shqiptar që e kujton Simakun si një nga zërat më të dashur të muzikës së viteve ’80-’90.
Mesazhi i saj është një dëshmi e dhimbjes së nënave që përballen me dramat e jetës dhe largësinë nga fëmijët e tyre, një realitet që prek mijëra familje shqiptare në emigracion.
©️zërionline


