Një njoftim i Bashkisë së Peqinit për asfaltimin e një segmenti të rrugës antike Via Egnatia ka ndezur debate dhe reagime të forta nga studiues të trashëgimisë kulturore dhe organizatat e shoqërisë civile. Ky projekt është cilësuar si një ndërhyrje e rrezikshme që rrezikon të shkatërrojë një pasuri të çmuar jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë Europën.

Reagimi i Auron Tares
I pari që ngriti alarmin publikisht ishte studiuesi i njohur i trashëgimisë, Auron Tare, i cili iu drejtua me një thirrje të hapur kryeministrit Edi Rama.
“Via Egnatia është një ndër 10 rrugët më të rëndësishme të civilizimit europian. Është rruga ku kanë kaluar legjionet romake gjatë luftës civile mes Cezarit dhe Pompeut, ku kanë ecur perandorët e çdo epoke, ku etërit e Kishës sollën mesazhet biblike nga Jeruzalemi, ku kaluan ushtritë e kryqëzatave dhe sulltanët otomanë në rrugën e tyre drejt Europës së Krishterë. Një trashëgimi e tillë nuk mund të mbytet me asfaltin e injorancës”, shkruan Tare.
Ai paralajmëron se kjo ndërhyrje përbën “një masakër në dëm të trashëgimisë kulturore” dhe një turp në sytë e Europës, duke kujtuar se fqinjët tanë kanë ditur ta ruajnë këtë pasuri me fanatizëm.

Qëndresa Qytetare: “Një turp i Akademisë së Shkencave”
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe organizata Qëndresa Qytetare, e cila në deklaratën e saj shprehet se rruga është lënë në mëshirë të asfaltit të “Rilindjes Urbane” dhe në heshtjen e institucioneve shkencore.
“Rruga Egnatia nuk është vetëm pjesë e pasurisë kulturore të Shqipërisë, por e mbarë Evropës dhe Orientit, pasi për shekuj me radhë ka lidhur dy civilizime. Ky segment duhej të ishte një nga itinerarët turistikë më të vizituar në Ballkan, por është lënë në mëshirë të asfaltimit provincial të kryebashkiakut të Peqinit”, thuhet në reagim.
Qëndresa Qytetare dënon “heshtjen e turpshme të Akademisë së Shkencave” dhe i bën thirrje Ministrisë së Kulturës, historianëve, shoqatave të turizmit, mediave dhe shoqërisë civile që të mos qëndrojnë indiferentë.
“Trashëgimia jonë kombëtare nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë. Ju lutem, ndërhyni përpara se Europa të na shikojë me përbuzje për shkatërrimin e saj.”
Një pasuri europiane në rrezik
Via Egnatia është një nga veprat më të mëdha inxhinierike të Romës së lashtë, ndërtuar në shekullin e II p.e.s., e cila lidhte brigjet e Adriatikut me Kostandinopojën. Ajo niste nga Durrësi dhe përshkonte Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, duke u bërë urë lidhëse mes Perëndimit dhe Lindjes.

Përmes saj kanë kaluar ushtritë romake, perandorët bizantinë, kryqtarët dhe më pas sulltanët osmanë. Ishte gjithashtu rruga përmes së cilës krishtërimi dhe kulturat orientale hynë në Europë. Historianët e rendisin ndër dhjetë rrugët më të rëndësishme të civilizimit perëndimor.
Sot, në vende si Greqia dhe Maqedonia e Veriut, rruga ruhet dhe është shndërruar në një atraksion të rëndësishëm turistik. Italia, nga ana tjetër, ka restauruar me kujdes “motrën” e saj, Via Appia, duke e kthyer në një aset të vizituar nga turistë nga e gjithë bota.



Shqipëria, ndryshe nga fqinjët, duket se ende nuk ka një plan të qartë për ruajtjen e Via Egnatia-s. Sipas organizatave të shoqërisë civile, mungesa e një vizioni afatgjatë, dobësimi i institucioneve shtetërore dhe përfshirja e OJF-ve dhe kompanive pa kapacitet profesional në restaurime, kanë sjellë pasoja të pakthyeshme për trashëgiminë.
Qëndresa Qytetare dhe Auron Tare, po dhe të tjerë zëra që kanë reaguar, paralajmërojnë se vendime të tilla jo vetëm që dëmtojnë pasurinë kulturore, por edhe e prishin imazhin e Shqipërisë në sytë e botës.
©️zërionline


