Pa konsultim real, pa Transparencë/ Banorët kundër projektit TID

Date:

Share post:

Një tjetër protestë e ngarkuar me revoltë dhe zhgënjim u zhvillua para Bashkisë së Durrësit. Banorët e lagjeve të vjetra pranë Amfiteatrit kanë dalë në rrugë për të mbrojtur jo vetëm pronat e tyre, por edhe dinjitetin qytetar. Ata akuzojnë institucionet për shkelje të ligjit dhe mungesë totale të transparencës në procesin e shpronësimeve, të cilat po bëhen në kuadër të projektit TID (Transformimi i Integruar i Durrësit), zbatuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

“Na kanë lënë në errësirë. Na shpronësojnë me çmime qesharake, nuk na japin asnjë shpjegim, dhe kur kërkojmë të drejtat tona, na injorojnë si të ishim të padukshëm”, shprehet një banore e moshuar, e cila jeton prej dekadash në zemër të qytetit të lashtë.

Sipas Entela Koja, arkitekte dhe një nga zërat aktivë të komunitetit, ligji parashikon konsultim publik për çdo projekt me ndikim të tillë, por në këtë rast është shmangur krejtësisht.
“Në planin e menaxhimit për Amfiteatrin theksohet qartë detyrimi për konsultim me publikun. Në realitet, kemi parë vetëm prezantime të njëanshme. Kërkesat tona për informacion dhe dokumentacion janë injoruar. Ky është një precedent shumë i rrezikshëm”, u shpreh ajo.

Banorët akuzojnë institucionet për mungesë respekti dhe përpjekje për t’i larguar nga pronat e tyre me çmime që nuk përputhen me realitetin e tregut.
“Prona jonë në qendër të qytetit është vlerësuar me vetëm 17 mijë lekë për metër katror. Me këto para nuk blejmë dot një banesë, as në periferi, e jo më në qendër. Po na detyrojnë të largojmë fëmijët tanë nga Shqipëria”, thotë një tjetër banore, ndërsa në duar mban një pankartë ku shkruhet: “Restauro, mos shemb!”.

Një prej momenteve më të forta të protestës ishte vendosja dhe hedhja simbolike e letrave higjienike para bashkisë, një gjest që sipas banorëve tregon sesi ndihen: “të përdorur dhe të injoruar”.

Vendimi për shpronësimin e 74 familjeve vjen si pjesë e një projekti që ka për synim transformimin urban të Durrësit. Por banorët thonë se për ta, ky “transformim” është më shumë një përpjekje për t’i fshirë nga harta.
“Projekti flet për restaurim, jo për shembje. Pse atëherë po na nxjerrin jashtë? Ku do shkojmë ne?” – thotë një protestues.

Ata nënvizojnë se protesta e tyre nuk ka asnjë ngjyrim politik. “Ky është një reagim qytetar, për të drejtat tona të ligjshme, për shtëpitë tona, për jetën tonë,” – deklarojnë ata në kor.

Banorët kanë bërë kërkesa për sigurim padie, kanë kontaktuar ambasada, përfaqësi ndërkombëtare dhe europiane, dhe kanë paralajmëruar se kjo nuk do të jetë protesta e fundit.
“Ne nuk do të heshtim. Kjo është një betejë për të drejtat tona. E do të vijojë deri sa të gjejmë një zgjidhje të drejtë dhe transparente,” përfundon një nga zërat më të vendosur të protestës.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Ministrja Klodiana Spahiu reagon për Erjon Vishkullin: “Operacioni në Romë i shpëtoi syrin të riut të plagosur në protestë”

Ministrja Klodiana Spahiu e ka cilësuar ditën si një ditë lajmesh të mira, duke lidhur miratimin në qeveri...

Gjendet i pajetë shqiptari 31-vjeçar në Itali, trupi u zbulua në një pus 10 metra të thellë

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në fund të një pusi rreth 10 metra...

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...